
Tiranë, 11 shtator 2014, NOA.al – Deputeti demokristian Nard Ndoka, në një deklarim të tijin gjatë ditës së sotme e ka cilësuar Kuvendin si pronë private të Ilir Metës.
“Mazhorancë në kaos, mungesë respekti për ligjin, për rregulloren e Kuvendit, për opozitën, për deputetin. Sa keq, sa turp! Sot shkova në Kuvend, jo për të thyer bojkotin e opozitës, por për të mbajtur një deklarate dhe për të bërë një propozim për ngritjen e një Komisioni Parlamentar “Për koordinimin ndermjet institucioneve dhe protokollit te shtetit, te Kishës Katolike Shqiptare dhe Vatikanit”, mbi vizitën e Papa Franceskut në vendin tonë”, thote Ndoka per mediat.
Ai shton se megjithëse ishte deputeti i vetëm opozitar në sallë, megjithëse u regjistrua për të mbajtur fjalën sipas rregullores së Kuvendit, megjithëse ka të drejtën ligjore për të marrë fjalën, kjo nuk ndodhi.
“Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili mendon dhe vepron si padrino i Kuvendit, në mënyrë të papritur mbylli seancën parlamentare duke me hequr mundësinë e fjalës. Megjithëse unë personalisht dhe partia që drejtoj jemi kundër bojkotit, veprimi arrogant i Ilir Metës, të bind se kjo mazhorancë nuk e njeh opozitën si partnere dhe vlerë politike në demokraci, nuk respekton fjalën e lirë, nuk respekton ligjin dhe kushtetutën, por sillet me psikologji dhe mentalitet totalitarist dhe të rrezikshëm”, thotë Nard Ndoka.
Sipas tij, kjo nuk është një mënyrë për të pritur Atin e Shejtë, i cili vjen në Shqipëri për të sjellë paqe, bashkëpunim e solidaritet midis njerëzve me besime dhe bindje politike të ndryshme. “Zoti e faltë Metën edhe për këtë mëkat të radhës!”, përfundon Ndoka/a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





