
Tiranë, 11 shtator 2014, NOA.al – Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ka takuar sot Ministrin për Europën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Baden-Wurttembergut, Peter Friedrich.
Ata kanë diskutuar për intensifikimin bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar dhe përfshirjen e Shqipërisë në projekte të ndryshme binjakëzimi dhe shkëmbimesh.
Friedrich tha se kjo etapë e re në rrugën e integrimit, shoqëruar dhe me intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë do të hapë mundësi të reja për bashkëpunim ekonomik dhe investime në përfitim të të dyja palëve.
“Tanimë Shqipëria, por edhe rajoni, kanë hyrë në një fazë të re zhvillimi ekonomik e politik. Vendet tona kanë kuptuar nevojën për bashkëpunim rajonal dhe harmonizimin e përpjekjeve për zhvillim dhe përparimi në rrugën e integrimit, por edhe mbështetja e Gjermanisë e shprehur në Konferencën e Berlinit, janë padyshim arsye për të qenë optimist”, mësohet se ka thënë Peleshi.
Niko Peleshi ka njohur më tej Friedrich me projektet zhvillimore të qeverisë shqiptare dhe me potencialin e fushave të ndryshme si turizmi, bujqësia apo energjia, që mund të jenë me interes për investitorët gjermanë.
Mësohet se në përfundim të takimit, u vendos që të ngrihet një grup i përbashkët pune për të koordinuar asistencën për qeverinë shqiptare por edhe për të eksploruar mundësitë për investime gjermane në Shqipëri./a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





