
Një nga lagjet më famëkeqe të Brazilit është ajo e pozicionuar në qytetin Rio dhe e quajtur “Morro da Mineira” ku vitin e shkuar ndërhyri edhe policia.
Drejtuesit më të lartë vendorë dhe politikë të vendit po kërkojnë me ngulm që të bëhet sa më shpejt rehabilitimi i kësaj zone, madje në lojë është futur edhe futbolli.
E kush mund ta bënte më mirë këtë punë se sa një ambassador i futbollit brazilian si Pele? Legjenda zhvilloi një vizitë në këtë zonë ku u përqendrua te disfata e Brazilit në botëror.
“Ato humbje ishin të rënda por gjithçka mund të ndryshojë brenda 4 vitesh. Shumë lojtarë janë në fund të karrierës së tyre dhe skuadra duhet të rinovohet sa më shpejt.
Ne nuk kemi probleme me furnizimin që na bëjnë klubet me talentet e tyre, pjesa e vështirë vjen kur duhet të organizohemi”.
Në vijim, Pele përgëzon drejtuesit e federatës që rikthyen në pankinë trajnerin Dunga.
“Dunga ka qenë më parë trajner i Brazilit. Ai është një njeri i besueshëm. E njoh shumë mirë personalisht dhe ai është shumë serioz në punën e tij.
Kjo është ajo për të cilën ka nevojë skuadra kombëtare. Për të pasur një skuadër të mirë nuk kemi nevojë thjesht për një numër 10”.
Në fund një koment nga Pele edhe për çështjen e rikandidimit të Blatter në krye të FIFA-s.
“Për sa kohë unë kam qenë pjesë e FIFA-s, nuk kam pasur asnjë problem me Blatter. Ai ka thënë disa herë nëpër intervista se nuk do të rikandidojë, por ja që tani ka ndryshuar mendje. Gjithsesi, unë nuk kam asgjë kundër tij”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





