Transmetuar më 11-09-2014, 14:39

Tiranë, 11 shtator 2014, NOA.al- Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha priti në një takim Ministrin e Çështjeve Evropiane të Rajonit Baden-Württemberg të Gjermanisë, Peter Friedrich.

Gjatë takimit të zhvilluar mesditën e sotme ministrat vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy shteteve, duke vënë theksin në thellimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet.

Ministrja Gjosha, falenderoi Friedrich, për mbështetjen e dhënë nga Gjermania, sidomos në marrjen e statusit të vendit kandidat të cilin e cilësoi si një moment historik për vendin.

Ministrja informoi për procesin e integrimit të Shqipërisë, duke thënë se qeveria është e angazhuar maksimalisht të çojë përpara reformat dhe të përmbushë standardet për të avancuar në axhendën evropiane.

“Për ne integrimi i Shqipërisë në BE, është prioritet kombëtar. Qeveria është e palëkundur në vullnetin e saj, për të çuar deri në fund reformat e nisura, sidomos ato me rëndësi madhore për të ardhmen e vendit”, u shpreh Gjosha.

Bashkëbiseduesit u ndalën edhe në rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, ku ministrja nënvizoi angazhimin e vendit në rritjen e bashkëpunimit rajonal. Ministrja vlerësoi maksimalisht vëmendjen që Gjermania po tregon për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nga ana e tij Friedrich, vlerësoi progresin që ka bërë Shqipëria duke u ndalur në rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve sidomos në fushën ekonomike. Bashkëbiseduesit, diskutuan për mundësinë e shkëmbimit të eksperiencës  në lidhje me mirëfunksionimin e administratës publike dhe ngritjen e kapaciteteve. Sektori i energjisë dhe agrikultura ishin dy fusha të tjera, për të cilat ministri gjerman, shprehu gatishmërinë për të rritur bashkëpunimin me Shqipërinë.

Duke u ndalur tek integrimi, Friedrich deklaroi se pavarësisht politikës së BE-së për zgjerimin, Shqipëria duhet përmbushë standardet e kërkuara, në mënyrë që t’i afrohet sa më shumë Bashkimit Europian./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit