
Nëse Spanja përballet me Marokun në një ndeshje futbolli, vështirë se mund ta ketë frikë kombëtaren afrikane, por kur bëhet fjalë për një talent të madh si Munir El Haddadi patjetër që po.
Ky është justifikimi i vetëm që nxjerrin media të ndryshme përsa i përket aktivizimit të 19-vjeçarit me kombëtaren La Roja që në grumbullimin e tij të parë.
Munir lindi më 1 shtator të vitit 1995 në qytezën El Escorial pranë Madridit, nga baba maroken dhe mama spanjolle, por fakti që ai nuk kishte luajtur më parë me përfaqësuesen kampione Europe në fuqi, i jepte mundësi të drejtën e zgjedhjes mes kombëtares spanjolle dhe asaj marokene.
Gjithsesi kjo dilemë tashmë është zgjidhur pasi djaloshi debutoi me fanellën e Spanjës teksa në minutën e 77-të takimit që përfaqësuesja La Roja fitoi 5-1 me Maqedoninë zëvendësoi mesfushorin e Atleticos, Koke.
Një lëvizje kjo ,që sipas mediave të ndryshme më shumë sesa e nevojshme në atë sfidë u bë nga trajneri Del Bosque për të blinduar lojtarin.
Tashmë El Haddadi sido që të shkojnë gjërat në karrierën e tij, në nivel kombëtaresh do të përfaqësojë vetëm Spanjën.
Numri 1 i stolit të La Rojas pas dëmtimit që pësoi Diego Costa në miqësoren me Francën grumbulloi pikërisht talentin e Barcelonës, që në karrierën e tij të deritanishme në La Liga ka shënuar vetëm një gol, ndërkohë për të zëvendësuar sulmuesin e Chelsea-it mund të kishte thirrur Aritz Aduriz të Bilbaos, që ka bërë shumë mirë me ekipin bask në këto vitet e fundit.
Gjithsesi vendimi i Del Bosques e kishte një arsye të blindonte përfundimisht Munir El Haddadin madje për ta bërë një zgjedhje të tillë, 63-vjeçari mund të jetë shtyrë edhe nga drejtuesit e federatës spanjolle të futbollit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





