
Fitorja me Zvicrën ishte e para me vlerën e tre pikëve për Wayne Rooney si kapiten i Anglisë.
Sipas sulmuesit 28-vjeçar, çelësi i suksesit në këtë fitore të vështirë të Tre Luanëve ishte kundërsulmi me një ritëm të lartë.
Ekipi i drejtuar nga Roy Hodgson, me fitoren 2-0 në stadiumin St Jakob Park të Baselit i bëri kështu një nisje shumë të mirë fushatës eliminatore për Euro 2016.
“Mendoj se në ndeshjen ndaj Zvicrës bëmë shumë gjëra të mira. Ditëm të mbroheshim me personalitet duke treguar se jemi një skuadër e madhe.
Në kundërsulm u treguam shumë të aftë pasi kishim shpejtësinë e nevojshme për t’i bërë keq kundërshtarit. Danny Welbeck me dy golat e tij ishte thjeshtë fantastik dhe unë jam shumë i lumtur për të”.
Mediat u kundërvunë ndaj kombëtares angleze pas paraqitjes së dobët që këta të fundit zhvilluan në sfidën miqësore ndaj Norvegjisë, ku edhe pse fituan 1-0 shfaqën një futboll jo të mirë.
Por Rooney zbulon se 1-herë kampionët e Botës nuk e morën seriozisht sfidën ndaj kombëtares nordike pasi vëmendja e tyre ishte e gjitha te takimi eliminator me Zvicrën.
“E dinim shumë mirë që ndeshja me Norvegjinë do të ishte e vështirë për ne, pasi në atë sfidë vinim fill pas dështimit në Kupën e Botës. Gjithsesi ne arritëm ta fitonim takimin edhe pse nuk dhuruam paraqitjen tonë më të mirë.
Por më shumë sesa ndeshja me Norvegjinë e rëndësishme për ne ishte të merrnin tre pikët përballë Zvicrës, pasi kombëtarja helvete është kundërshtari jonë direkt për kreun e grupit. Jemi të gjithë të lumtur për këtë sukses të rëndësishëm dhe shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm”.
I kënaqur me paraqitjen e djemve të tij ishte edhe trajneri Roy Hodgson. Numri 1 i stolit të Tre Luanëve vlerësoi paraqitjen e Welbeck, ndërkohë që theksoi se fitorja ndaj një rivali direkt si Zvicra ishte një hap i madh përpara për skuadrën që ai drejton.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





