Transmetuar më 08-09-2014, 16:06

Një grua shtatzënë është urdhëruar të zgjedhë mes njeriut që dashuron dhe fëmijës së saj, ende të palindur, pasi nuk mund të qëndronte me të dy në të njëjtën kohë.

Gruaja nga Britania e Madhe, e cila pritej të sillte në jetë fëmijën e saj të parë, zgjodhi burrin që donte, i cili njëkohësisht është edhe bashkëshorti i saj, duke hequr dorë nga fëmija. Çifti ka kërkuar të mos identifikohet.

Gruaja 34 vjeçare nga North Liverpool është e martuar me një mësues në shkollën fillore, i cili është dënuar për zotërimin e mbi 100.000 imazheve të turpshme të fëmijëve.

Rreth 5 vite më parë ai bëri 15 muaj burg për këtë arsye. Shërbimet sociale janë shprehur të rezervuar në lidhje me sigurinë seksuale të fëmijëve që mund të qëndrojnë pranë burrit. Gjithsesi, 45 vjeçari thotë se e ka marrë mësimin e tij dhe se duhet t’i jepet një mundësi e dytë.

“Njerëzit flasin përherë për rehabilitim dhe për përfshirje në shoqëri. Unë po mundohem të jem një  njeri normal dhe të socializohem, por po marr pas një reagim që nuk e prisja aspak. Po trajtohem si person pa vlera”, ka thënë burri.

Çifti është njohur gjatë verës së kaluar dhe që në takimin e parë, burri i kishte treguar gruas për episodet e tij të këqija, përfshirë edhe këtë me fëmijët në të shkuarën. Ajo e pranoi me gjithçka kishte dhe më pas u martuan, duke vendosur të krijojnë familje.

Shërbimet sociale, sapo mësuan për shtatzëninë e gruas e vendosën atë përpara zgjedhjes së vështirë mes fëmijës dhe bashkëshortit. Nëse gruaja do të vendoste të rriste fëmijën me të atin, ndaj saj do të merreshin masa drastike, deri në humbjen e kujdestarisë. /a.s/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit