
Tiranë, 8 shtator 2014, NOA.al-Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe gjatë seancës dëgjimore të thirrur me anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ka komentuar arsyet se pse nuk do të zhvillohet sot.
Braçe deklaroi se anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës janë thirrur për të dëshmuar në Prokurori, dhe seanca dëgjimore do të zhvillohet në një moment tjetër.
Mësohet se sot do të pyeten në Prokurori anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës Ardian Civici, Petraq Milo dhe Dhori Kule, ndërsa Elisabeta Gjoni, Guvernatore e komanduar e BSH do të pyetet gjatë ditës së nesërme.
Braçe: Gjoni përgjegjëse sa Fullani për keqmenaxhimin e BSH
Erion Braçe, ka komentuar edhe takimin e Presidentit Bujar Nishani, me Guvernatoren e Bankës së Shqipërisë në detyrë, Elisabeta Gjoni.
Braçe shprehet se Gjoni në cilësinë e zëvendësguvernatores së BSH, është po aq përgjegjëse po aq sa Guvernatori Ardian Fullani, lidhur me keqmenaxhimin e Bankës.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Braçe shkruan, “E vlerësoj shqetësimin e Presidentit për stabilitetin e sistemit financiar në vend, në fund duhet të ndodhte dhe kjo. Por ka një shqetësim edhe më të madh; ndikimi mbi prokurorinë për vijimin e hetimeve dhe çuarjen deri në fund të nxjerrjes së përgjegjësisë penale për cilindo që ka drejtuar në bankë dhe ka bërë faj. Shqip; Elisabeta Gjoni, në cilësinë e zëvendësguvernatorit (detyrat e të cilit janë të qarta në ligj), në kushtet e mungesës së zëvendësguvernatorit përgjegjës për administrimin e Bankës, me përgjegjësi të plotë edhe për këtë (sipas ligjit), është përgjegjëse po aq sa guvernatori për keqadministrimin me pasojë dëm të rëndë ekonomik për bankën. Nuk mundet që Presidenti i Republikës të japë imunitet nga hetimet apo të cenojë hetimet për të!”./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





