
Një shqiptar i Kosovës u gjet i vdekur pranë një makine në orët e mëngjesit dhe policia thotë se kemi të bëjmë me një vrasje të shkaktuar nga qitje me armë zjarri.
Korrespondenti i noa.al raporton se ngjarja ka ndodhur në fshatin Bardh i Madh, Fushë Kosovë ku i riu shqiptar, banor vendas, është gjetur i shtrirë afër një veture Mercedes.
Në vendin e ngjarjes ekipi i mjekësisë familjare ka konstatuar vdekjen e viktimës, ndërsa njësitet përkatëse policore, prokurori dhe Mjekësia Ligjore kanë konstatuar se i ndjeri kishte dy plagë në trup që janë shkaktuar nga arma e zjarrit.
Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në morg.
Policia tha sot se ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë të dyshuarin e krimit, i cili është një tjetër shqiptar banues në Fushë Kosovë. Ai ka pranuar se ka kryer vrasjen.
Rreth 500 metra larg vendit të ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar revolja e tipit “Ekol Special” me pesë fishekë të kalibrit 9 mm, që është përdorur në krim.
Në shtëpinë e të dyshuarit gjatë kontrollimit janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie me tre fishek me afat të skaduar dhe një pushkë artizanale.
Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. Policia nuk ka sqaruar ende shkaqet e vrasjes dhe nuk konfirmoi identitetin e viktimës dhe të dyshuarit/ /l.n/noa.al/
Vijon…
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





