Transmetuar më 06-09-2014, 20:10

Pas kthimit nga Samiti i Uellsit, kryeministri Edi Rama ka nisur kontaktet për të diskutuar mbi situatën e re të krijuar me arrestimin e mbrëmshëm të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Sot herët në mëngjes ai ka pasur një takim me Kryetarin e Kuvendit, pasuar me një sërë telefonatash me partnerë e ekspertë ndërkombëtarë të qeverisë dhe më pas një tjetër takim me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Mbështetja për prokurorinë e drejtësinë për të kryer deri në fund punën e nisur dhe garantimi i pavarësisë së Bankës së Shqipërisë për ta kapërcyer situatën me autoritet të plotë moral e profesional, duhet e do të jenë dy pika të palëvizshme referimi për qeverinë në trajtimin e këtij problemi madhor.

Kryeministri dhe Qeveria, në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin e Shqipërisë, do të ndërmarrin me përgjegjshmëri të lartë morale e përgjegjësi të plotë ligjore, të gjithë hapat e nevojshëm që Banka e Shqipërisë të dalë më e fortë moralisht, më e sigurt institucionalisht, më transparente administrativisht dhe padyshim plotësisht e pavarur, nga një situatë si kjo që nuk duhet të përsëritet më kurrë në të ardhmen.

Kryeministri Edi Rama dëshiron t’i shprehë respektin e mbështetjen e Qeverisë të gjithë teknicienëve të Bankës së Shqipërisë, aftësitë e spikatura dhe puna e përkushtuar e të cilëve, janë një bazë shumë e sigurt për qëndrueshmërinë e padiskutueshme të institucionit, pavarësisht situatës së krijuar në majën e drejtimit të tij.

Kontaktet e Kryeministrit do të vazhdojnë, bën të ditur zyra e Kryeministrit. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit