
Xherdan Shaqiri konfirmoi se për të pati një ofertë të pasuksesshme të Liverpulit para zhvillimit të botërorit Brazil 2014.
Media të ndryshme bënë të ditur në qershor, se klubi anglez kishte hyrë në bisedime me Bayernin për zviceranin me origjinë shqiptare dhe ishin të gatshëm të paguanin 19 milionë euro për të, por kampionët e Gjermanisë shumë shpejt bënë të ditur se nuk kishte shanse për largimin e futbollistit të lindur në Gjilan.
Edhe pse Shaqiri ka fituar dy tituj të Bundesligës, një Champions League dhe dy Kupa të Gjermanisë, që kur ka shkuar në Allianz Arena roli i tij si zëvendësues i dy yjeve si Arjen Robben dhe Franck Ribery shpesh ka nxitur spekulimet për largimin e tij.
Ai u përfol edhe për një kalim të mundshëm te Roma apo Juventusi këtë verë.
Gjithsesi Shaqiri thotë se tani pasi qëndroi në klub ai po merr në konsideratë zgjatjen e kontratës së tij me Bajernin. “Liverpuli bëri një ofertë për mua para Kupës së Botës, por Bajerni refuzoi ofertat e tyre dhe më tha mua:
“Ne nuk do të të shesim”. Kontrata ime vlen deri në 2016-ën dhe ka mundësi që unë ta zgjas atë. Do ta marr në konsideratë këtë vendim gjatë pauzës dimërore.”
Më pas Shaqiri u fokusua te përballja e Zvicrës me Anglinë e programuar për tu luajtur këtë të hënë në Bazel.
“Pres që Anglia të vijë me shumë djem të rinj që ende nuk janë të njohur aq mirë. Ata do të duan të riparojnë dëmet pasi nuk bënë mirë në finalet e Kupës së Botës.
Ata do të vijnë në Zvicër për fitore, por ne do të luajmë si zakonisht dhe do të zbresim në fushë për t’i mundur”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





