Transmetuar më 06-09-2014, 18:17

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka kaluar natën e parë në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, pas arrestimit të befasishëm mbrëmjen e djeshme sapo doli nga zyra e tij në godinën e bankës në sheshin ‘Avni Rustemi’.

Paraditen e sotme guvernatorin është vizituar nga i biri, Erik Fullani i cili u bë i njohur mediatikisht pas skandalit të vjedhjes në bankën e Shqipërisë, ku nga fotot e publikuara prej tij në rrjetet sociale ku shihej jeta luksoze e 20 vjeçarit dhe veçanërisht një koleksion orësh të shtrenjta me vlerë disa milionë lekë.

Ai është parë të futet në ambiente e Drejtorisë së Policisë së Tiranës me dy çanta në duar, me gjasë sende personale apo ushqime për të atin, ndërsa ka dalë shpejt prej këtyre ambienteve. Nuk dihet nëse është takuar apo jo me të atin, guvernatorin Fullani.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë pritet të qëndrojë në qelinë e paraburgimit deri ditën e hënë, kur pritet të jepet edhe masa e sigurisë ndaj tij.

Zbulimi i vjedhjes së Thesarit

Vjedhja e Thesarit të Shtetit në BSH u zbulua më 21 korrik, kur inspektorët e Auditit të Brendshëm të Bankës shkuan për të bërë inventarin. Ndërsa kontrollonin kutitë ku mbaheshin paratë, inspektorët vunë re se disa kuti ishin hapur më parë. Në vend të kartëmonedhave, në to u gjetën libra të vjetër.

Menjëherë përfundoi në pranga Ardian Bitraj, specialist që më 1993, në qendrën e emisionit të monedhës. Ai ka treguar para hetuesve se e ka kryer vjedhjen prej katër vitesh rresht. Nuk u desh shumë që të zbulohej se ishte ai personi që kishte vjedhur paratë. Në rrëfimin e tij, punonjësi i bankës tregoi mënyrën se si arriti të vjedhë një shumë kolosale parash, 600 milionë lekë të reja, ose ndryshe 4.3 milionë euro. Më pas u zbulua se shuma e vjedhur ishte 713 milionë lekë të reja.

Kartëmonedhat vinin nga Zvicra të paketuara në kuti me peshë fikse. Vetëm 1 në 40 kuti hapej për t’u kontrolluar sipas Ardian Bitrajt. Pas përfundimit të procedurave, ai merrte në punë libra, me të cilët zëvendësonte paratë brenda në kuti, për të arritur të njëjtën peshë, me shpresën se një ditë do t’i zëvendësonte. Ka pasur ditë kur kam vjedhur edhe 10 milionë lekë të reja për një ditë, duke i fshehur në rroba brenda trupit, mësohet të ketë thënë Bitraj para hetuesve. Të gjitha paratë, tha se i kishte harxhuar në kumar, ditë pas dite, për 4 vite rresht. Ai ka deklaruar se të gjitha lekët i ka lënë në lojërat e fatit, që janë poshtë shtëpisë së tij. Sipas deklaratave të tij, 45-vjeçari shprehet se në një kazino ka borxh 50 milionë lekë.

Mimoza Bruzia përgjegjëse e departamentit të kësaj qendre prej 2 vitesh kishte mësuar për vjedhjen, kur konstatoi se mungonin 40 milionë lekë dhe tashmë akuzohet si bashkëpunëtore në krim. 4.3 milionë euro në prerje prej 5 mijë lekësh u vodhën për disa vite me radhë. Kartëmonedhat merreshin nga kutitë që vinin nga fabrika e prodhimit, ose nga kutitë e parave, të cilat ishin vendosur të asgjësoheshin, për shkak të shenjave apo grisjes në vende të ndryshme. Arrestimi i të dy punonjësve të bankës u bë me vendim gjykate, me akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe moskallëzim të krimit. Pas Bitrajt u arrestuan edhe 10 punonjës të tjerë të Bankës, ndërsa deri tani numri i të arrestuarve ka shkuar në 19.

|VIDEO: Vendimi, arrestohet Fullani |VIDEO: Prokuroria flet zyrtarisht |VIDEO Prangoset tek zyra Guvernatori  |VIDEO Flet avokati Maks Haxhia |FOTO |VIDEO – Arrestimi i Fullanit, sa vite burg rrezikon – Avokati i Golemit flet për ankimim

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit