Transmetuar më 06-09-2014, 15:57

Tiranë, NOA.al – Djaloshi që në vite kujtohet si një ndër zërat e Top Albania Radio, rikthehet në mikrofonin radiofonik. Drini Zeqo këtë sezon televiziv do të jetë bashkëdrejtues i spektaklit “Dancing with the Stars Albania”. Pasi u largua nga Top Media, Drini Zeqo shkoi në Klan dhe më tej në tv informativ të Media 6, ABC News, si spiker. Krahas kësaj ishte edhe në stafin e emisionit “Opinion” të Blendi Fevziu në Tv Klan. Në këtë periudhë u bë edhe imazh i veshjeve të disa dyqaneve gjithashtu pronë e presidentit të Media 6 ku përfshihen Tv Klan, Klan Plus, Klan Kosova, Abc News, etj. Drini u largua nga Media 6 dhe vijoi karrierën televizive në Ora News.

Gjatë intervistës për agjencinë e lajmeve NOA, Drini Zeqo thotë se përveçse spiker, di të jetë dhe një prezantues i ambienteve të hapura. Për 4 vite rresht ka prezantuar “Maratona e këngës Popullore” transmetuar në Tv Klan dhe tani ka marrë përsipër të drejtojë spektaklin e kërcimit të Vizion Plus.

Po jashtë studiove të punës, si është jeta e një spikeri serioz dhe një personazhi publik? Drini tregon:

Intervistoi: Era Çela

Si nis dita juaj?

Me shumë motivim, për të qenë më e mirë se e djeshmja. E them këtë sepse do të ishte mirë sikur të gjithë të kërkonim të ishim pak më të realizuar se një ditë më parë dhe të mos kënaqemi me atë që kemi arritur.

A do të jeni ju në krah të Amit në prezantimin e sezonit të pestë të spektaklit të kërcimit “Dancing with the Stars Albania”?

Po unë do të jem bashkë me Amin, në këtë edicion të pestë të DWS.

Kur ka filluar pasioni për radion dhe televizionin?

Ka filluar me radion në fakt, më pas erdhi televizioni. E thonë shpesh nëpër intervista që radio është një dashuri e madhe, ashtu është në fakt. Mbase së shpejti do të kem edhe një projekt radiofonik.

Çfarë e bën të veçantë Drinin para ekranit?

Këtë nuk mund ta them unë, por ata që më ndjekin. Por nëse duhet të jap një përgjigje, mendoj se të jesh i thjeshtë dhe i vërtetë është një pikë e fortë.

Fillimisht prezantues në radio, sot në televizion? Ku ndjeheni më rehat?

Tek të dyja, bëjnë pjesë tek mediat. Televizioni është më i lehtë. Radio me kalimin e viteve kërkon më shumë profesionalizëm për ta bërë si duhet.

Mund të na thoni një moment të sikletshëm gjatë edicionit të lajmeve dhe një moment të bukur?

Ka shumë të tilla. Unë kam qëndruar me dhënien e lajmeve për gati 10 vjet çdo ditë. Është një detyrë si çdo profesion tjetër. Kërkon seriozitet dhe shumë përkushtim. Momentet e vështira janë ato që kanë të bëjnë me raportime të vështira. Me raste tragjike aksidentesh apo humbje jete si pasojë e ngjarjeve fatale. Ndërsa rastet e bukura janë ato festive, kur sjell çaste lumturie në shtëpitë e atyre që të ndjekin.

Sa ka të bëjë imazhi i një spikeri përpara ekranit?

Sigurisht që ka rëndësi. Një imazh i kuruar dhe i kujdesshëm është gjithnjë një avantazh kur punon në televizion. Por nëse është vetëm imazh dhe nuk është brendia, atëherë kjo nuk mjafton. Duhet që së bashku me imazhin të ketë edhe shumë përgatitje. Gjithsesi jam kundër imazheve të kuruara më shumë se sa duhet.

Ju jeni larguar nga shumë ekrane. Fillimisht nga Top Channel. Më pas nga TV Klan, ABC News dhe së fundmi dhe nga Ora News. Në cilin prej tyre e keni pasur më të vështirë për të marrë vendimin nëse duhej apo jo të largoheshit?

Më i vështirë ka qenë largimi nga emisioni “Opinion”. Puna aty ka qenë një kulm pozitiv si gazetar.

Çfarë natyre është Drini në përditshmërinë e tij pasi e shikojmë gjithmonë të qeshur e të dashur?

Një natyrë që i provon të gjitha ndjeshmëritë gjatë 24 orëve. Asgjë ndryshe nga mënyra si ndihet dikush që nuk del në ekran. Por në disa raste për ne është me e vështirë pasi para kamerave duhet të harrojmë çdo problem apo pakënaqësi që kemi. Por jam natyrë shumë sociale. Me pëlqen të kem sa më shumë miq, dhe të jem i rrethuar nga njerëz prej të cilëve ke se çfarë të mësosh.

Çfarë ju pëlqen më shumë të bëni në kohën e lirë?

Më pëlqen sporti dhe informacioni. Mundohem të kujdesem sa më shumë për veten sa i takon pjesës fizike por duke mos harruar dhe pjesën e informimit përmes leximeve të ndryshme, qofshin librat apo materiale online. Më pëlqen të kaloj kohë me miqtë sikurse e thashë edhe më sipër.

Sa i frekuentoni lokalet dhe pub-et?

I frekuentoj kur mundem, zakonisht në fundjavë, por jo rregullisht. Nuk e kam problem edhe nëse kaloj një fundjavë në shtëpi me familjen. Madje përkundrazi me kalimin e viteve këtë të fundit e konsideroj kohën më cilësore.

Çfarë ju bën më shumë përshtypje tek një femër, në aspektin fizik dhe në karakter dhe cila do të ishte e dashura ideale për ty?

Nuk besoj se ka një femër ideale, në kuptimin e parë të fjalës. Pra që të plotësojë çdo pritshmëri që ti ke. Të njëjtën gjë mendojnë edhe femrat për meshkujt besoj. Duhet të ketë tërheqje, një lloj kimie që dallohet qysh në momentet e para.

Stinën e dimrit, apo të verës, kë preferoni më shumë?

Dimri më pëlqen më shumë, ndonëse vera është me e favorshme për të kaluar kohë me miqtë për shkak të pushimeve të cilat janë më të zgjatura.

Ku i kaluat pushimet verore dhe me kë?

I kalova në jug të Shqipërisë, me miqtë.

Sa i trembeni thashethemeve të gazetarëve?

Unë jam vetë gazetar, dhe e kuptoj shumë mirë procesin. Nuk trembem, sepse do ta kuptoja nëse do të lexoja diçka të pavërtetë.

Sipas jush, kush është ikona e gazetarisë sonë?

Nuk besoj se gazetaria në Shqipëri ka nevojë për fjalën ikonë. Gazetaria në këtë vend sipas mendimit tim dhe eksperiencës që kam domosdoshmërisht kërkon më shumë punë dhe vërtetësi për të qenë sa më pranë njerëzve.

Cili është qëllimi që i keni vënë vetes?

Nuk kam një qëllim. Thjesht ndihem mirë në këtë profesion që e bëj me shumë dashuri.

Çfarë ju nervozon?

Gënjeshtra.

Jeni xheloz?

Jo, nuk jam.

Po tolerant?

Po jam shumë, më tepër nga sa duhet.

Çfarë keni ruajtur nga fëmijëria?

Dashurinë me të cilën më kanë rritur prindërit.

Drini një djalë i vogël më pas një adoleshent dhe tani një i rritur…Cilat janë ndryshimet që keni pësuar në kohë?

Ndryshimet e natyrshme të qenies njerëzore. Ndihem më i pjekur, më shumë eksperienca të mbledhura. Mbase më i aftë për të kuptuar të mirën dhe të keqen.

Kush është 24 orë me Drinin?

Janë të gjithë sipas rëndësisë që kanë për jetën time.

Ç’është dashuria me tre fjalë?

Te jesh në qiellin e shtatë.

A keni të dashur për momentin?

Jo, nuk kam për momentin. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit