
Vuelta e Spanjës ka nisur që prej rreth një jave, por kur pritej që evenimenti i fundit i madh sezonal të ngjallte interes për atë që po ndodh në rrugët e gadishullit, diçka e pazakontë ka hedhur hije të mëdha dyshimi rreth ndershmërisë së garuesve, citon Supersport.
Një video amatore e publikuar në internet po bën xhiron e botës. Pamjet hedhin dyshime të mëdha për përbërjen e biçikletës së Ryder Hesjedal.
Edhe pse ai rrëzohet, biçikleta e tij vazhdon të ecë dhe kjo ka ngjallur dyshime pasi shumë njerëz mendojnë që kanadezi ka instaluar një motor të vogël.
Ngjarja ka ndodhur në etapën e shtatë të Vueltas, ku çiklisti kanadez u rrëzua dhe në tentativë për t’u ngritur është filmuar nga një kamera amatore.
Të jetë vallë faji i erës? Kjo vështirë se mund të besohet, prandaj çiklisti duhet të gjejë një alibi më bindëse për drejtuesit e garës.
Gjithsesi, nga pamjet filmike është e vështirë të dallosh nëse bëhet fjalë vërtet për një biçikletë të motorizuar.
Kjo nuk është hera e parë që hidhen hije dyshimi pasi në vitin 2010, zviceriani Fabian Cancellara u akuzua se kishte instaluar një motor të fshehtë në biçikletën e tij gjatë Turit të Flanders.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





