Transmetuar më 05-09-2014, 15:00

Tiranë, 5 shtator 2014, NOA.al- Partia Demokratike në një deklaratë të sajën, tha se inkriminimi është i vetmi sukses i qeverisë.

Në qëndrimin e PD thuhet se Edi Rama dhe Ilir Meta lanë pas vitin e parë të legjislaturës me një rekord të papërsëritshëm të inkriminimit të administratës, duke shtuar se për një vit, ata ia dolën të ndanin pushtetin në të gjitha nivelet me përfaqësuesit e botës së krimit.

“Rama dhe Meta krijuan modelin e përmbysur, anti-modelin më saktë, duke bërë deputet të dënuarin për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, duke emëruar drejtorë zyrash e shefa shërbimesh në pikat kyce, trafikantë drogë të kapur me sasi të mëdha lëndësh narkotike, apo të dënuar deri në 16 vite burg. Në Vlorë promovuan personin e arrestuar në Itali për organizimin e rrëmbimit të fëmijës. Nuk është hicmëpak kriminal caktimi në krye të këshillit të qakur të Korcës, të gruas që coi në vetëvrasje një punonjëse që shërbente prej 24 vitesh”, shprehet partia më e madhe opozitare.

Më tej shtohet se në një vit legjislaturë, inkriminimi ka qënë i vetmi sukses i dyshes Rama-Meta, ndërsa nënvizohet se ata e nisën vitin e dytë të legjislaturës pa asnjë reflektim për kapjen e shtetit nga krimi dhe për vendosjen e zyrave nën kontrollin e të dënuarve për vepra të rënda penale.

Gjithashtu thuhet se Partia Demokratike do të vazhdojë çdo ditë të denoncojë e të bëjë transparencë për emërimet kriminale të Ramës e Metës, duke shtuar se opozita nuk do të lejojë që bashkë me oligarkinë, të instalohet edhe standardi i inkriminimit./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit