
Teksa dita e debutimit të kombëtares Shqiptare në eliminatoret e Euro 2016 po afron, dilemat e trajnerit Gianni De Biasi për formacionin janë të mëdha, citon Supersport.
Pasi ka parë skuadrën në seancat stërvitore, numri 1 i stolit kuqezi ka shumë pikëpyetje mbi ndërtimin e 11 titullarëve që do të hedhë në fushë të dielën në orën 20:45 ndaj Portugalisë.
Nga të gjitha variantet e mundshme taktike që 59-vjeçari mund të përdorë, janë vetëm 5 futbollistë që duket se e kanë vendin e sigurt.
Nuk ka dyshime përsa i përket portës, çelsat e së cilës do ti besohen gardianit Etrit Berisha.
Mbrojtja në masën 75% është e kolauduar, me Canën, Mavrajna dhe Agollin që kanë vendin e sigurt në formacion, duke përjashtuar këtu ndonjë surprizë të pakëndshme.
Dilemat janë të mëdha në krahun e djathtë të repartit difensiv, ku në balotazh janë Andi Lila, Taulant Xhaka dhe Elseid Hysaj.
Në mesfushë bind prezenca e mesfushorit shtatshkurtër të Paokut, Ergys Kace, teksa pjesa tjetër e formacionit është ajo që shkakton dhimbje të mëdha koke për trajnerin De Biasi.
Në sulm Salihi, Cikalleshi dhe Kapllani janë alternativat, por italiani i stolit kuqezi mund të vendosë të luajë edhe me Gashin, duke përdorur skemën me një 9 të fshehtë.
Në mesfushë alternativat janë të shumta, duke filluar me Bulkun, Kukelin, Xhakën, Gashin, Shalën, Abrashin apo edhe spostimin e Lilës.
Shumë dilema në mendjen e De Biasit për të vendosur formacionin titullar, që mesa duket do ta zgjidhë vetëm në orët e fundit, pak përpara fillimit të ndeshjes.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





