Transmetuar më 03-09-2014, 17:48

Tension në dhomat e zhveshjes te Reali i Madridit, pavarësisht fushatës bindëse në merkaton e verës ku u afruan Toni Kroos e James Rodriguez, por u larguan Xabi Alonso e Di Maria.

Presidenti Florentino Perez nuk është aspak i kënaqur me fillimin e sezonit, por presioni është rritur pas deklaratës së Cristiano Ronaldos, i cili hodhi dyshime për merkaton e shoqërisë.

“Nëse do të kisha qenë unë president, nuk do të kisha vepruar kështu”, u shpreh vetëm pak ditë më parë portugezi, i cili mesa duket ka shërbyer si “pika" që mbushi gotën.

Sipas mediave spanjolle, Perez është i vetëdijshëm që në skuadër nuk e kanë pritur mirë largimin e dyshes Alonso-Di Maria, madje di shumë mirë që këtë mendim e ka 90 % e skuadrës.

Por asgjë nuk përfundon me kaq, pasi Perez nuk ndan të njëjtin mendim edhe me trajnerin Ancelotti për formacionin e hedhur në fushë gjatë ndeshjeve të para të sezonit.

Kreu i shoqërisë kërkon që tekniku italian të aktivizojë më shumë Ilarramendin, gjithashtu të ndryshojë edhe strategji sjelljeje me James Rodriguez.

Dhe këto janë vetëm disa sinjale që paralajmërojnë furtunë sepse nëse në 13 shtator, Reali i Madridit nuk do të mundë Atleticon në “Bernabeu”, atëherë mund të hapet kutia e Pandorës.

Skuadra “Los Blancos” numëron 3 pikë pas dy javëve të para të kampionatit duke regjistruar një humbje fatale në San Sabastian, 4-2 edhe pse e nisi ndeshjen me avantazh të dyfishtë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit