
Tiranë, 3 shtator 2014, NOA.al – Kundrejt akuzave të Partisë Demokratike, në lidhje me emërimin e Rifat Çokaj në krye të Komisariati të Policisë në Malësinë e Madhe, ka reaguar Ministria e Punëve të Brendshme, e cila bën me dije se Çokja ka punuar në Polici edhe gjatë kohës së qeverisjes së PD.
Kjo ministri hedh poshtë të gjitha akuzat e bëra në lidhje me drejtuesin e ri të Komisariatit të Policisë së Malësisë së Madhe, i cili, siç thotë MPB, ka një karrierë të gjatë dhe të vlerësuar në strukturat e Policisë së Shtetit.
“Ai ka punuar në Policinë e Shtetit edhe gjatë viteve të drejtimit të PD, 2005-2006. Është larguar nga Policia e Shtetit me kërkesën e tij, më datë 16.09.2006, kur mbante detyrën e specialistit të Drejtimit në Seksionin e Qendrës Operative dhe të Emergjencave. Është ripranuar në strukturat e Policisë së Shtetit, më 19.11.2013, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Më tej sqarohet se bazuar në Dëshminë e Penalitetit, Rifat Jakup Çokaj, rezulton i padënuar. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





