Transmetuar më 03-09-2014, 13:30

Tiranë, 3 shtator 2014, NOA.al- Deputeti demokrat Flamur Noka, denoncoi atë që e quajti emërimin e ish vrasësit në diktaturë si Shef Komisariati në Malësinë e Madhe.

Noka bëri me dije se Rifat Çoku është emëruar shef komisariati në Malësinë e Madhe ndërsa qeveria është përpjekur që këtë emërim ta kalojë në heshtje.

Deputeti demokrat u shpreh se Rifat Çoku ka shërbyer si komisar në zonën kufitare gjatë kohës së diktaturës komuniste dhe në datën 2 tetor të vitit 1986, ai ka qenë pjesëmarrës në pushkatimin e të riut Sokol Veshti, të cilin e kishin ndaluar fillimisht në tentativën për të kaluar kufirin e më pas e ekzekutuan barbarisht.

“Në vitin 1996, Rifat Çoku u dënua me burg për krimin e genocidit nga Gjykata e Shkodrës, por pas trazirave te vitit 1997 doli shpejt nga burgu. Sot, Rifat Çoku ka rilindur nga oligarkia në pushtet, e cila komisarin e terrorit dhe vrasjeve e ka emëruar Shef Komisariati në Malësinë e madhe. Ky emërim tregon më së miri inkriminimin e përditshëm të policisë dhe shtetit , teksa sigurinë publike të qytetarëve të Malësisë së Madhe do e ketë në dorë një xhelat i diktaturës me bekimin e Ramës dhe Metës”, tha Noka.

Ai shtoi më tej se ky akt shpjegon më së miri se dyshja Rama- Meta qëndron pas vandalizimit të monumentit kundër dhunës së diktaturës komuniste në qendër të Tiranës, dhe prapa çdo akti tjetër që  frymëzon e frymëzohet nga e kaluara e gjakatare e diktaturës komuniste në Shqipëri .

Në emër të Partisë Demokratike ai dënoi ashpër këtë akt dhe e cilësoi si një përdhosje ndaj mbarë shoqërisë shqiptare dhe vlerave të saj të arritura në këto 23 vite.

Noka i bëri thirrje të gjithë aktorëve të shoqërisë, ish të përndjekurve politikë, por edhe elitës intelektuale në vend, të reagojnë ndaj këtij akti./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit