Transmetuar më 03-09-2014, 12:26

Tiranë, 3 shtator 2014, NOA.al- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha inspektoi përfundimin e punimeve për rindërtimin e kopshtit nr.40 në kryeqytet.

Basha bëri me dije Bashkia e Tiranës ka rindërtuar këtë kopsht duke ofruar kushtet më optimale për afro 120 fëmijët që do ta  frekuentojnë atë.

Në fjalën e tij kryebashkiaku shprehu keqardhjen për bllokimin prej shtatë muajsh të investimeve të tjera të parashikuara në buxhetin e vitit 2014, në kopshte, çerdhe e shkolla, sikundër dhe investime të tjera të mëdha.

“Një numër jo i vogël kopshtesh të kryeqytetit kanë qenë të buxhetuar për vitin 2014, por prokurimi i tyre sapo po nis, jo sepse Drejtoria e Prokurimit të Bashkisë së Tiranës e ka harruar dosjen diku, jo sepse ne harruam ta buxhetojmë, jo se nuk e konsultuam buxhetin me qytetarët, por sepse ish-kryebashkiaku, Kryeministër, me verbërinë e tij e bllokoi buxhetin e qytetit të Tiranës. E bllokoi derisa ne arritëm ta zhbllokonim me një vendim gjykate. Këtu ka arritur niveli i luftës politike që Edi Rama i ka bërë, dhe vazhdon t’i bëjë Bashkisë së Tiranës. Ky nuk është vetëm kryeministri më armiqësor ndaj qytetit që ka drejtuar vet për 11 vite, ky është edhe kryeministri më gënjeshtar, më mashtrues. Pretendon se nuk e njeh realitetin, kur është vet arkitekti i këtij realiteti. Edi Rama bllokoi me urdhër politik buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Ky është një fakt botërisht i njohur, pa asnjë justifikim, derisa Gjykata Administrative në nivel Apeli e zhbllokoi atë. Edi Rama, bllokon edhe sot e kësaj dite financimin e bulevardit të ri të Tiranës, një vepër madhore nga e cila përfitojnë të gjithë qytetarët e Tiranës, për një arsye të vetme: “Sepse nuk i duron dot veprat e mëdha, i ka kompleks veprat e mëdha”, u shpreh kryebashkiaku.

Ai bëri me dije se Edi Rama, ka bllokuar me urdhër politik, terminalin multimodal të pasagjerëve, projektin e tramit, koncensionin për mbledhjen dhe përpunimin e mbetjeve urbane, etj.

Basha deklaroi se armiqësia që dëshmon Kryeministri nuk është ndaj Lulzim Bashës, nuk është ndaj kryetarit të Bashkisë, por është ndaj çdo qytetari duke e cilësuar si Kryeministrin më bllokues, në emër të interesave politike./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit