


Gjirokastër, 3 shtator 2014, NOA.al- Ministri Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ka zhvilluar një vizitë në Gjirokastër për të inspektuar gjashtë projektet e miratuara nga qeveria shqiptare për rikonstruksionin e rrugëve të qytetit dhe Parkun e Liqenit të Viroit.
“Më vjen mirë që sot Gjiroakstra është kthyer në një kantier të vërtetë ndërtimi dhe jam shumë krenar për faktin se po mbajmë premtimet e një viti më parë, duke kthyer në qytet investimet e munguara prej 8 vitesh”, deklaroi Veliaj, pasi inspektoi punimet që po kryhen në të gjithë Gjirokastrën me rikonstruksionin e 30 rrugëve dhe Parkun e Liqenit të Viroit.
Sipas tij, kur projekti i Parkut të Liqenit të Viroit të ketë mbaruar në fund të vitit, ai do të cilësohet një nga projektet më të bukura në Shqipëri. “Më vjen mirë që Gjirokastra do të jetë jo vetëm një epiqendër e trashëgimisë kulturore dhe turizmit, por edhe një epiqendër e rinisë, e atyre që merren me sport dhe eksplorimin e natyrës Parku i Viroit është një mushkëri e re për qytetin”, tha ai.
Nga ana tjetër, duke shfrytëzuar rastin për fillimin e regjistrimeve në të gjitha shkollat profesionale në vend, Veliaj u bëri edhe njëherë thirrje prindërve dhe nxënësve që t’i kthejnë sytë nga arsimi profesional.
“Shumë prej projekteve ku po investojmë po na tregojnë rëndësinë që ka nevoja për gurëgdhëndës të rinj, për njerëz që kujdesen për trashëgiminë kulturore apo teknikë që punojnë me projektet e infrastrukturës. Prandaj dua të inkurajoj prindërit dhe nxënësit që t’i kthejnë sytë nga arsimi profesional, që një gjeneratë e re djemsh dhe vajzash të kenë mundësi të zbatojnë projekte të tilla”, deklaroi ministri Veliaj.
Në këtë vizitë, ministri Veliaj shoqërohej edhe nga kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Bime./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





