
Bled, 3 shtator 2014, NOA.al- Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni ishte një prej pjesëtarëve në Panelin “Power of Tourism”, në Forumin Strategjik të Bledit, që u zhvillua në datat 1-2 shtator në Bled të Sllovenisë.
Në fjalën e saj ministrja Gjermeni foli për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në fushën e turizmit, duke vënë theksin në krijimin e paketave rajonale turistike, brandimin e rajonit si një destinacion i vetëm.
“Turizmi mund të na bashkojë më tepër dhe ne duhet të marrim më të mirën prej këtij bashkëpunimi. Samiti Berlinit nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit me synim forcimin dhe rritjen ekonomike. Çfarë na bashkon nuk janë vetëm bukuritë natyrore por edhe mikpritja, një virtyt që vendet tona nuk duhet ta humbin dhe prandaj kur vizitojmë njëri-tjetrin ne ndjehemi si në shtëpi”, u shpreh Gjermeni.
Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit tha se duhet forcuar roli i grave dhe i të rinjve, si mendjet dhe duart krijuese, pa të cilat sektori do të ishte jo i plotë.
Ministrja Gjermeni zhvilloi disa takime, në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit, Slloveni.
Ajo u takua me Janez Podobnik, Drejtori i Qendrës Ndërkombëtare për Promovimin e Ndërmarrjeve, me Marko Gal dhe partnerët e “International Institute for Human Space”, Maribor si dhe me . Karmen Novarlič, Drejtorja e Agjencisë së Promovimit të Turizmit në Slloveni, me të cilët bisedoi për mënyrat e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave në fushën e Turizmit.
Prej vitit 2006, Forumi Strategjik i Bledit, që mbledh udhëheq[s, politikanë dhe përfaqësues të sektorit privat nga Europa dhe Bota, është shndërruar në një platformë të suksesshme të dialogut të nivelit të lartë. I organizuar nga Ministria e Jashtme e Republikës së Sllovenisë dhe Qendra për Prespektivën Europiane, Forumi Strategjik i Bledit është një prej konferencave ndërkombëtare më të njohura në rajon.
Të pranishëm në këtë panel ishin: Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë të Republikës së Sllovenisë, Metod Dragonja, Drejtori Ekzekutiv i Sekretariatit i Organizatës Botërore të Kombeve të Bashkuara për Turizmin (UNWTO), Ministri i Turizmit të Kroacisë, Darko Lorencin, Sekretari i Shtetit i Ministrisë së Transportit, Ndërtimit dhe Zhvillimit Rajonal të Sllovakisë, Frantisek Palko dhe Drejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme për Zhvillimin e Turizmit dhe Standardeve në Ministrinë e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit në Malin e Zi, Olivera Brajovic./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





