Transmetuar më 02-09-2014, 19:03

Tiranë, 2 shtator 2014, NOA.al – Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar kundrejt deklaratës së Kryeministrit Edi Rama të bërë sot nga qyteti i Elbasanit. Berisha shprehet se sëmundja nuk e lejon atë që t’i besojë investimet e bëra më parë, për të cilat e informuan hollësisht vetë deputetet e PS.

Sipas Sali Berishës, e vërteta është se në 8 vite, në qarkun e Elbasanit janë investuar në autostradë, rrugë nacionale dhe rurale 375 milionë dollarë; në ndërtimin dhe rindërtimin e 130 shkollave, kopshteve dhe universitetit 30 milionë dollarë; në ndërtimin e 136 ambulancave, spitaleve, qendrave shëndetësore 17 milionë dollarë; në ndërtimin e 76 ujësjellësave dhe kanalizimeve 4 milionë dollarë.

“Janë financuar 5060 projekte në bujqësi në total 670 milionë dolllar. Në rrjetin elektrik të qarkut të Elbasanit janë investuar 150 milionë dollarë. Pa llogaritur këtu 2 – 3-fishimin e grantit nga qeveria e PD për Bashkinë në qytetin e Elbasanit, nga qeveria vetëm në Universitet u investuan 9 milionë dollarë, pra thuajse dyfishi i investimeve të Ramës në këtë qytet”, shkruan Berisha në Facebook.

Ai shtoi se në ndërtimin dhe pajisjen e Spitalit të Kirurgjisë dhe Maternitetit u investuan 4 milionë dollarë, ndërsa në shkollat e mesme dhe ato 9 vjeçare, nënstacionin e energjisë elektrike dhe në rrugët e qytetit janë investuar në total së paku 100 milionë dollarë apo 20 herë më shumë se sa investimi i Ramës prej 5 milionë dollarë për rindërtimin e qendrës së qytetit, e cila është rindërtuar nga e para me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, dhe meremetimit të stadiumit të qytetit.

“Sot pati nga ata që e dëgjuan Ramën në Elbasan dhe u gajasën me nihilizmin e tij, pati të tjerë që e përqeshën dhe thanë se çfarë kujton ky se mund të na hedhë trutë e gomarit ne me këto budallallëqe që deklaron. Në të vërtetë Rama nuk e bën këtë për t’i hedhur kujt trutë e veshgjatit por sëmundja nuk e lejon atë që t’i besojë këto investime, për të cilat e informuan hollësisht vetë deputetët e PS. Ndaj dhe ai, duke thirrur për dëshmitar të rremë Qazimin, deklaron për të dytën herë marrëzira të cilat vetëm ai, për shkak të sëmundjes, i beson”, përfundon shkrimi i ish kryedemokratit në Facebook. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit