Transmetuar më 02-09-2014, 13:42

Tiranë, 2 shtator 2014, NOA.al- Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Kanadasë, John Baird.

Kryeparlamentari vlerësoi këtë vizitë të parë të një Ministri të Punëve të Jashtme të Kanadasë në Shqipëri duke nënvizuar se marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë dhe Kanadasë duhen konsoliduar më tej në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Meta vuri në dukje bashkëpunimin e frytshëm ekonomik mes dy vendeve duke nënvizuar se Shqipëria mirëpret shtimin e investimeve kanadeze në vend, dhe përmes Shqipërisë në të gjithë rajonin tonë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kanadasë, John Baird shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të parë në Shqipëri si dhe mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar në shërbim të paqes dhe stabilitetit.

Duke biseduar mbi partneritetin ekonomik mes dy vendeve, Meta dhe Baird vlerësuan gjithashtu edhe rolin domethënës të komunitetit shqiptar në Kanada si një urë solide bashkëpunimi mes dy vendeve dhe mes dy popujve.

Në përfundim Kryetari i Kuvendit Meta dhe Ministri Baird diskutuan edhe mbi zhvillimet e fundit rajonale dhe ndërkombëtare, duke bërë një vlerësim të veçantë për rolin konstruktiv të Shqipërisë në Ballkan dhe në planin ndërkombëtar./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit