
Manchester United i surprizon të gjithë me një goditje të madhe në merkato, citon Supersport. Djajtë e Kuq kanë firmosur me Radamel Falcaon nga Monaco, duke fituar kështu konkurrencën me disa nga klubet më të mëdha të Europës.
Sulmuesi kolumbian, që në orët e fundit ndodhej mes Manchester City-it dhe Arsenal-it vendosi të vazhdojë karrierën e tij në “Old Trafford”.
Gjatë kësaj vere, për El Tigren kishte shfaqur interes të vazhdueshëm Reali i Madrid-it, por në fund ishte Manchester United skuadra që siguroi shërbimet e ish-lojtarit të Atleticos së Madrid-it.
Falcao transferohet te Djajtë Kuq në huazim për një vit, ndërkohë për të bërë të mundur kalimin e tij në ishull, drejtuesit e United do t’i paguajnë Monaco-s 12 milionë Paund, rreth 14 milionë Euro.
Gjatë qëndrimit 1-vjeçar te 20-herë kampionët e Anglisë, sulmuesi kolumbian do të përfitojë një pagë marramendëse prej 200 mijë Sterlinash në javë.
Me afrimin e 28-vjeçarit, Louis Van Gaal kompleton kështu sulmin e “Red Devils” për sezonin që sapo ka nisur, madje sipas asaj që shkruan “Daily Mail”, trajneri holandez këmbënguli për të firmosur me Falcao-n, pasi ka frikë nga dëmtimet e shpeshta që mund të pësojë sulmuesi tjetër Robin Van Persie.
El Tigre është blerja e 6-të e United në këtë merkato, pas atyre të Angel Di Marias, Daley, Blind, Ander Herreras, Luke Shaw dhe Marcos Rojos.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





