
Një përmbysje që do të kujtohet gjatë, një shuplakë e pastër për Realin.
Një skuadër prej 500 milion Eurosh, që brenda 90 minutave “shpërfytyrohet” e tëra në transfertën e “Anoetës” nga këmbët e një skuadre si Sociedadi, që këtë vit shihej si pretendente për t’u rrëzuar një kategori më poshtë e që papritur e gjen veten protagoniste, pas një fitoreje 4-2 ndaj madrilenëve të Ancelottit.
Los blancos u dukën sikur ishin plot ngjyra pas 10 minutave të para të lojës, ku meritonin padyshim një 10 për fillimin e mbarë, ku golat e Ramosit dhe Balet u dukën sikur kishin larguar “hijet” e fazës jo bindëse përgatitore, por dhe takimit të vështirë ndaj Cordobas në debutim.
Pas golit të Bale gjithçka shkonte për bukuri për Realin, por goli i Inigo Martinezit u duk sikur hapi “kutinë e Pandorës” për ekipin e Ancelottit, duke e shndërruar në një formacion pa bosht, pa besim, me shumë yje, por pak produktive.
Kroos dhe James Rodriguez, dy blerjet më të rëndësishme të verës u duk sikur i kishin këmbët e rënda nga milionat e tyre, dhe në vend që të ishin ata që duhet të flisnin me gjuhën e golit, foli Zuratuza, që nëse do të bënim një paralelizëm me veprën e Nices, ishte pak a shumë si prologu i saj, me futbollistin që na mësoi mbinjeriun.
Një mbinjeri që i mungonte Realit, si në rastin e Ronaldos, që mund t’i kishte dhënë një zgjidhje takimit.
Reali tregoi të paktën në San Sebastian se e vuan mungesën e yllit të saj, por me shumë gjasa vuan mungesën e Alonsos në qendër të mesfushës, që më përvojën e tij mund të balanconte situatën në të tilla ndeshje.
Në momentin që Reali kërkonte të përgjigjej, mungonte gjithashtu fantazia, që u largua këtë verë bashkë me Di Marian.
Në fund dhe Casillas, që nxitoi të kritikonte shokët e tij të skuadrës në rastin e golit të katërt të Velas, në vend që të bënte detyrën duke pritur goditjen e tij, nxitoi duke ngritur dorën për faull me dorë të kundërshtarit.
Pamjet treguan se kishte të drejtë, por një portier me përvojën e tij përpara se të protestojë duhet të bëjë detyrën.
Ancelotti u përpoq të korrigjonte zgjedhjet e fillimit me Khediran dhe Arbeloan, që me mundësitë e pakta që i janë dhënë te kampionët e Europës ishin më shumë mish i huaj në formacion.
Për të qenë të vërtetë, siç e meriton dhe një skuadër më emrin Real, formacioni i Ancelottit është përmbysur jo pak herë deri tani.
Në miqësoren me Interin kaloi përpara dhe u arrit, me Atleticon shënoi golin e epërsisë dhe u ndëshkua në fund, ndërsa në ndeshjen e djeshme me Sociedadin u përsërit vetëm se me pasoja më të rënda, pasi vinte nga një avantazh 0-2.
E vërteta është se në Madrid, i druhen një tjetër skuadër galaktikash, me shumë yje, si në mesin e viteve 2000, kur luanin bashkë, Beckham, Owen, Zidane, Figo, Ronaldo, Raul e Cassano të cilët, të gjitha bashkë sollën zero tituj në “Santiago Bernabeu”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





