
Dibër, 1 shtator 2014, NOA.al- Dy persona u vunë në prangat e policisë së Dibrës, nën akuzën e goditjes së efektivëve të policisë.
Të ndaluarit janë Iliaz Neli, 59 vjeç nga Peshkopia dhe Argjend Shehu 29 vjeç, lindur në Peshkopi dhe me banim në Tiranë.
Siç raporton NOA.al, të ndaluarit kanë kundërshtuar dhe goditur për shkak dhe gjatë ushtrimit të detyrës dy punonjës të policisë së qarkullimit rrugor.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se dy punonjësit e policisë së qarkullimit rrugor, gjatë kryerjes së shërbimit në rrugën “Tercilio Kardinali”, në qytetin e Peshkopisë, rreth orës 21.00, kanë konstatuar një automjet tip Mercedes Benz, i cili po udhëtonte në krahun e kundërt të lëvizjes në këtë rrugë me një korsi kalimi.
Pas kësaj, punonjësit e policisë kanë kryer veprimet për ndalimin e mjetit, që drejtohej nga 39 vjeçari A.N., lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë, i cili është prezantuar si punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror.
Ndërkohë që punonjësit e policisë po kryenin procedurat standarde të konstatimit të kundravajtjes rrugore, Iliaz Neli dhe Argjend Shehu kanë dalë nga automjeti, i cili drejtohej nga A.N., dhe kanë goditur me grushte punonjësit e policisë rrugore Sh.K., dhe A.M.
Efektivët e policisë së Dibrës pas sinjalizimit për këtë rast vunë në pranga Nelin dhe Shehun për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Goditje për shkak të detyrës” të kryera në bashkëpunim.
Në përfundim të hetimeve paraprake, është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i mjetit ne gjendje të dehur” 39 vjeçari A.N., punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror. Po nga veprimet hetimore paraprake ka rezultuar se drejtuesi i mjetit nuk është përfshirë në konflikt dhe se pas ngjarjes është paraqitur vetë në polici. Lidhur me këtë ngjarje është njoftuar edhe Shërbimi Informativ Shtetëror.Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti tip merecedes benz./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





