Transmetuar më 31-08-2014, 15:28

Tiranë, NOA.al – Zonat Jugore dhe Qendrore të Shqipërisë, gjatë paradites së sotme, 1 shtator, do të karakterizohen nga vranësira dhe intervale kthjellimesh. Ndërsa, një sistem i fuqishëm vranësirash do të vendoset në Veriperëndim dhe Veri të territorit duke sjellë shira të dendur dhe stuhi të forta ere.

Pjesa e dytë e ditës, sikurse raporton MeteoAlb, do të vijojë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash në zonat Jugore, ndërsa vranësira të dendura dhe shira do të ketë në pjesën tjetër të territorit. Shira të konsiderueshëm do të bien në Veriperëndim të Ultësirës Perëndimore. Vranësirat do të fuqizohen gjatë natës, për pasojë do të rritet intensiteti i shirave dhe stuhitë e erës do të forcohen në pjesën më të madhe të territorit.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në të dy vlerat ekstremale të ditës, më e ndjeshme rënia do të jetë gjatë mëngjesit në zonat malore të vendit.

Era do të fryjë mesatare dhe e fortë duke arritur shpejtësi nga 35 – 55 km/h nga drejtimi Jugor – Juglindor për pasojë, në det do të gjenerohet dallgëzim 5-6 ballë.

Europa

Zona e Alpeve të Europës do të vijojë në kushtet e vranësirave dhe shirave të herë pas hershëm.

Po ashtu, gadishulli i Ballkanit si dhe një pjesë e madhe e Europës Qendrore do të karakterizohen nga vranësira dhe shira, të cilët gjatë mesditës dhe pasdites do të jenë në formë rrebeshesh duke rrezikuar Poloninë, Cekine dhe Sllovakinë nga përmbytje.

Gadishulli Skandinav, Europa Perëndimore si dhe pjesa më e madhe e Europës Lindore do të dominohen nga moti i kthjellët. a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit