
Tiranë, 30 gusht 2014, NOA.al- Partia Demokratike ka denoncuar sërish inkriminimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe administratës publike.
Me anë të një deklarate për shtyp Partia Demokratike u shpreh se me pëlqimin dhe bekimin e Edi Ramës, Kuvendi i Shqipërisë ka në gjirin e tij deputetë të dënuar për akte të rënda ndërsa administrata e shtetit kontrollohet në pjesët kyçe të saj nga persona të inkriminuar. “Rastet e panumërta të denoncuara nga Partia Demokratike janë anashkaluar nga Edi Rama i cili theu heshtjen vetëm për njeriun e Metës të emëruar si kontrollor në Rinas, pikërisht në vendin që i emëruari e kishte përdorur për transport të parave të pista. Trafikantët e drogës janë bërë drejtor ujësjellësi, drejtor logjistike në port, drejtor rajonal transporti, pikërisht në shërbimet publike të cilat shërbejnë për të ndaluar çdo tentativë për trafiqe” thuhet në deklaratën e PD-së. Sipas Partisë Demoktratike, premtimi për emërime me meritokraci janë hedhur në kosh bashkë. “Premtimi për emërime me meritokraci janë hedhur në kosh bashkë me premtimet e fushatës, sepse për Edi Ramës nuk ka asgjë më të rëndësishme se rrethi i ngushtë i oligarkisë së tij. Përpjekja për të kaluar radhën me dëshmi penaliteti false tregon më së miri se Rama ka bekuar inkriminimin e shtetit që t’i sigurojë atij fuqi kriminale për të marrë votën nesër dhe për të kërcënuar opozitën.”-përfundon deklaratën e saj Partia Demokratike./k.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





