Transmetuar më 28-08-2014, 12:29

Tiranë, 28 gusht 2014, NOA.al- Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe, deklaroi se Banka e Shqipërisë ka refuzuar të japë informacione ndaj Kuvendit, duke thënë se sipas ligjit nuk mund ti kufizojë ato.

Ai tha se qysh prej vitit 2009, BSH ka refuzuar që ti japë informacion Kuvendit, ndërsa duke iu përgjigjur Guvernatorit Ardian Fullani, deklaroi se do të zbatojë ligjin dhe nuk do të ketë takim personal me të.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë u shpreh se nuk është komisioni ai që varet nga Banka e Shqipërisë por është Banka e Shqipërisë që duhet të përgjigjet në Komisionin e Ekonomisë dhe në ligj nuk ka asnjë kufizim për informacionin.

Braçe bëri me dije se nga 500 faqe raporte në tre vitet e fundit Guvernatori Fullani ka dorëzuar vetëm gjashtë faqe me informacion, duke shtuar se informacioni që mungon është ai që ka të bëjë me personelin e Bankës së Shqipërisë dhe funksionin e tyre.

Sipas tij në raportet e Bankës së Shqipërisë paraqiten fakte tronditëse dhe se vjedhja e 713 milionë lekëve nuk është problemi më i madh i institucionit bankar, pasi ka probleme më serioze me kontratat, shpenzimet për mallra etj.

“BSH ka refuzuar që ti japë informacione auditit. As për personelin nuk është dhënë informacion. Do të paraqes një raport të posaçëm në komision, dhe do të fillojmë punën me seanca dëgjimore. Ne duam të njihemi me raportet për situatën e vjedhjes dhe jemi të prirur për të ruajtur informacionet e klasifikuara. Ne duam të çlirojmë bankën nga politika, klientelizmi dhe vjedhjet”, u shpreh Braçe.

Në vijim nënvizoi se nuk mund të pranohet që Guvernatoiri dhe Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të deklarojnë se nuk mbajnë përgjegjësi. Sipas tij nëse ka diçka për të cilën mbahet përgjegjësi me vullnet të lirë është dorëheqja, ndërsa pjesa tjetër rregullohet me ligj./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit