Transmetuar më 28-08-2014, 11:59

Shkodër, 28 gusht 2014, NOA.al- Policia e Shtetit që në orët e para të mëngjesit, ka vijuar operacionin policor për asgjësimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike në zonën e Dukagjinit në Shkodër.

Në operacion aktualisht janë të përfshira 147 forca policore, të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, të Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe të forcave speciale RENEA. Në dispozicion të këtyre forcave janë vënë 20 automjete, si dhe tre mjete lundruese për transportin e tyre përgjatë liqenit në Koman.

Gjatë ditës së sotme forcat e policisë në terren po operojnë të ndara në nëntë grupe për kontrollin e territorit dhe asgjësimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike në tre komuna, përkatësisht në Komunën Temal në fshatin Toplanë, në Komunën Shllak në fshatin Benë dhe në fshatin Bruçaj të Komunës Pult.

Në përbërje të këtyre forcave janë edhe oficerë të Policisë Gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë, për kryerjen e veprimeve procedurale për të gjitha rastet e evidentuara.

Deri në këto momente nga këto forca është mundësuar asgjësimi i 1000 rrënjëve bimë narkotike kanabis sativa, kryesisht në fshatin Benë, Komuna Shllak.

Ndërkohë gjatë tetë ditëve të këtij operacioni të gjerë të zhvilluar në komunat e zonës së Dukagjinit, nga forcat e policisë janë asgjësuar rreth 115 000 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa.

Ndërkohë nga policia e Shkodrës gjatë ditës së djeshme, u bë ndalimi me iniciativë i 57 vjeçarit Mhill Demaj, i cili akuzohet se duke qenë me detyrë kryeplak i fshatit Bruçaj, komuna Pult, nuk ka kryer detyrën për të njoftuar organet kompetente për kultivimin e lëndëve narkotike në këtë fshat.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në Fshatin Bruçaj, janë gjetur dhe asgjesuar 31 parcela në të cilat ishin kultivuar 16 300 rrënjë kanabis  sativa./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit