



Vlorë, 28 gusht 2014, NOA.al- Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në qytetin e Vlorës me pasojë vdekjen e drejtuesit të makinës që u përfshi në ngjarje.
Bëhet fjalë për një fuoristradë e markës "Mitsubishi" me targë AA848JX e cila ka shpërthyer gjatë kohës që ka qenë në ecje e sipër, në orën 07:14 të mëngjesit të sotëm.
Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin pranë sheshit “Omonia”, në rrugën Transballkanike. Viktima është Isuf Brahimaj, biznesmen 42 vjeçar, i cili kishte ndërruar gjeneralitetet në Isuf Kokaj. Ai ishte pronar i një hoteli në Radhimë që pritej të inaugurohej këto ditë. Mësohet se një vit më parë, vëllai i 42 vjeçarit, i kishte shpëtuar një atentati nga i cili nuk pati dëmtime serioze.
Si pasojë e shpërthimit kanë mbetur të plagosur edhe një vajzë e re si dhe u lëndua një kalimtar i rastit. Në vendngjarje NOA.al mësoi se e plagosur rëndë ka mbetur Ornela M., 19 vjeçe, e cila ishte pasagjerja që ndodhej në mjet bashkë me viktimën. E reja, për shkak të plagëve të marra është nisur drejt kryeqytetit, për të marrë ndihmën e nevojshme.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie të cilat kanë rrethuar skenën e krimit. Paraprakisht mendohet se mjeti është hedhur në erë përmes një shpërthimi të telekomanduar. Burimet policore thonë se rreth 500 gramë eksploziv i llojit tritol dyshohet se i është vendosur automjetit Mitsubishi” me targë AA848JX. Ka mjaftuar kjo sasi që automjeti teksa ishte në lëvizje e sipër të shpërthejë me fuqi të madhe.
Policia e Vlorës flet mbi ngjarjen:
“Rreth orës 07.14 në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë është marrë njoftim se në lagjen “28 Nëntori” ka ndodhur një shpërthim. Menjëherë në vend kanë shkuar të gjitha shërbimet e policisë të cilat kanë kryer veprimet e para procedurale si dhe shërbimi zjarrfikës. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore ka rezultuar automjeti tip “Mitsubishi” ngjyrë e bardhë me targa AA848JX me pronar shtetasin I. K., 42 vjeç, banues në fshatin Sherisht ka shpërthyer.
Në momentin e shpërthimit brenda në automjet dyshohet se ndodhej shtetasi I. K., i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme si dhe shtetasja O. M., 19 vjeçe, e cila është në gjendje të rëndë shëndetësore. Nuk ka persona të tjerë të lënduar.
Menjëherë në lidhje me këtë ngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor në përbërje të të cilit janë specialistët më të mirë Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Tiranë, Drejtorinë e Policisë Qarku Vlore si dhe Prokurorë Kundër Krimeve të Rënda Tiranë dhe Vlorë”. /a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





