Transmetuar më 27-08-2014, 16:33

Tiranë, 27 gusht 2014, NOA.al- Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Sigurinë Publike, Altin Qato, bëri me dije masat e marra për krimin mjedisor, veçanërisht në fushën e ndërtimeve pa leje.

Qato tha se po ushtrohet kontroll në të gjithë territorin e vendit për evidentimin e veprave penale kundër mjedisit, si dhe të ndërtimeve abuzive, me synim ndëshkimin me forcën e ligjit të autorëve të këtyre krimeve.

Po ashtu deklaroi se janë planifikuar dhe organizuar shërbime policore për kapjen në flagrancë të personave apo subjekteve juridike, që kryejnë një veprimtari të tillë kriminale dhe procedimin e tyre sipas ligjit.

Qato tha nga strukturat e Policisë së Shtetit, në ato raste që do të konstatohen veprime ose mosveprime në kundërshtim me ligjin të punonjësve të institucioneve që ligji i ngarkon me detyra në këtë drejtim, si: Organe të pushtetit vendor,  Inspektorati Ndërtimor Urbanistik, Inspektorati i Policisë Pyjore, Inspektorët e Mjedisit etj., në ngarkim të tyre do të kryhen veprimet procedurale për veprën penale shpërdorim detyre, duke bashkëpunuar dhe me prokurorinë.

Zv.Drejtori i Policisë deklaroi se brenda 48 orëve në shkallë vendi kanë evidentuar 64 ndërtime pa leje, duke proceduar penalisht 64 persona, nga të cilët gjashtë shtetas janë arrestuar në flagrancë, 56 prej tyre janë proceduar dhe ndiqen në gjendje të lirë dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas tij, ndaj të gjithë atyre personave, që do të konstatohen se kanë kryer një ndërtim të paligjshëm në tokë publike, shtetërore apo në tokën e tjetrit, do të merret masa e arrestit në flagrancë.

Qato informoi se kjo vepër penale përbën krim dhe si e tillë Kodi Penal parashikon dënimin deri në pesë vite burgim.

“Në të gjitha rastet që kryhen veprimet procedurale, nga strukturat e Policisë së Shtetit do të bëhet dhe verifikimi i të ardhurave të personave që kryejnë këto ndërtime abuzive, nëse janë produkt i veprimtarisë kriminale, duke konkluduar sipas rastit dhe me hapa të mëtejshëm ligjor. Ndërkohë pranë çdo Salle të Komandimit në strukturat vendore të policisë është administruar një regjistër i veçantë, ku evidentohet çdo informacion për ndërtimet e paligjshme dhe krimet kundër mjedisit, që raportohet nga qytetarët përmes numrit 129. Për çdo rast të sinjalizuar menjëherë janë marrë masat e nevojshme për dërgimin e shërbimeve policore, verifikimin e rasteve, kryerjen e pezullimit të punimeve dhe shoqërimin e personave të dyshuar për ndërtimin e objekteve të paligjshme. Policia e Shtetit do të vijojë me vendosmëri masat për goditjen e krimit mjedisor dhe ndërtimeve të paligjshme, duke vendosur para drejtësisë të gjithë ato persona, të cilët kanë vepruar në kundërshtim me ligjin”, u shpreh Qato.

Rastet e evidentuara sipas Drejtorive të Policisë në Qarqe:

Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë janë evidentuar 27 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 27 persona, nga të cilët 3 janë arrestuar në flagrancë, 22 prej tyre ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim.

Nga Drejtoria e Policisë Qarkut Durrës, janë evidentuar 10 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar 10 persona, të cilët ndiqen në gjendje të lirë.

Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan janë evidentuar 5 raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar pesë persona, të cilët ndiqen në gjendje të lirë.

Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë janë evidentuar katër raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar katër persona, nga të cilët dy janë arrestuar në flagrancë , dy prej tyre ndiqen në gjendje të lirë.

Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier është evidentuar një rast për të cilin ndiqet në gjendje të lirë një shtetas.

Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë janë evidentuar tre raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar tre persona, nga të cilët 1 është arrestuar në flagrancë  dhe 1 ndiqet në gjendje të lirë.

Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër janë evidentuar katër raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar katër persona, të cilët ndiqen në gjendje të lirë.

Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër është evidentuar një rast, për të cilin ndiqet në gjendje të lirë një shtetas.

Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Berat, janë evidentuar dy raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar dy persona, të cilët ndiqen në gjendje të lirë.

Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë janë evidentuar dy raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar dy persona, të cilët ndiqen në gjendje të lirë.

Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Dibër janë evidentuar pesë raste të ndërtimeve pa leje, janë proceduar pesë persona, të cilët ndiqen në gjendje të lirë./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit