
Shkodër, 26 gusht 2014, NOA.al – Drejtori i Policisë së Qarkut Shkodër, Shaban Nexhi, ka bërë me dije në një konferencë për shtyp, se gjatë ditës së sotme janë asgjësuar 1300 rrënjë bimë narkotike të llojit kanabis sativa dhe janë vënë në pranga tre persona.
Nexhi ibëri me dije se sot është arrestuar i shpalluri në kërkim, Zef Shpati, 25 vjeç, banues në Grudë e Re, Komuna Rrethina e Shkodrës, pasi dyshohet si autori i organizimit dhe sulmit, ku u goditën me armë zjarri helikopteri i ushtrisë dhe i Policisë së Shtetit. Sipas policisë, Shpati rezulton të jetë kultivues i disa parcelave me bimë narkotike në zonat e fshatit Pult.
Më herët janë arrestuar edhe Pal Dushku, 19 vjeç, dhe Gjon Bungu, 52 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Plan, Komuna Pult, për veprën penale të moskallëzimit të krimit dhe shpërdorimit të detyrës, pasi, nuk ka njoftuar në organet shtetërore për kultvimin e bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia, në një stan bagëtish, në zonën e Komunës Pult, gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe tre armë zjarri. Këto armë janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme në Laboratorin Qendror Kriminalistik Tiranë.
Vetëm në këto 6 ditë të operacionit policor janë asgjesuar në zonën e Dukagjinit 99 960 rrënjë bimë narkotike cannabis sativa. Aktualisht, situata e rendit dhe sigurisë publike në zonën e Komunës Pult është e qetë. a.s/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





