Transmetuar më 26-08-2014, 14:28

Tiranë, 26 gusht 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama vetëm pak momente para nisjes drejt Gjermanisë, për në samitin e Berlinit deklaroi se synimi është një qasje e re ndaj rajonit dhe ndaj gjithë vendeve në rajon që janë në rrugën e integrimit, nëpërmjet një marrëdhënie të re mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit.

Ai tha kjo qasje e re duhet të jetë disa planëshe, ndaj shtoi se është konceptuar dokumenti i bazuar në ato shtylla që i cilësoi si bazë për zhvillimin e konferencës.

Ai bëri me dije se në samit do të shkohet me një dokument të qartë, i cili sipas tij ka në themel nisjen e një marrëdhënie të re mes BE dhe Ballkanit.

“Mbetet me rëndësi të veçantë themeli i konferencës që ka të bëjë me një politikë të re që ka nisur në rajon. Dhe ky është viti i parë që rajoni në historinë e vetë jeton pa konflikte në kufitë mes vendeve. Mbi këtë themel duhet ndërtuar një marrëdhënie e re me synim rritjen e financimeve për rajonin. Janë katër pika ku do të kalojë diskutimi bazuar në një strukturë që duhet të shkojë nga infrastruktura rajonale, në një bllok që përfshin Kosovën, Kroacinë, Malin e Zi dhe Bosnjen, që ka të bëjë me “Korridorin e Kaltër”, i cili njihet ndryshe si “Unaza e turizmit mesdhetar”, por që shërben edhe si një nyjë starategjike për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave. Besojmë shumë se ky projekt është mbështetur në argumenta të fortë. Qendra për parqet logjistike dhe parqet multimodale dhe një shtysë shumë e fortë e mundshme për të ngushtuar hendekun me madh mes rajonit dhe pjesës tjetër të Europës të teknologjisë dixhitale dhe aksesit në energji”, u shpreh Rama.

Si pikë tjetër të rëndësishme ai renditi çështjet energjike, duke shtuar se synohet përfshirja e BE dhe rajonit në një rrjet të integruar të energjisë që do të kishte jo pak influencë në stabilitetin energjik të kontinentit.

Ai tha se do të argumentohet domosdoshmëria për të siguruar në afat të mesëm dhe të gjatë, financime për të mbështetur sipërmarrjen, ndërsa shtoi se rëndësi të veçantë do të ketë rritja e arsimit profesional, mbështetur në modelin gjerman.

Si një tjetër pikë të rëndësishme të diskutimeve gjatë samitit, ai tha se do të jetë turizmi. Kryeministri e mbylli fjalën e tij duke thënë se ky është një moment shumë i rëndësishëm për potencialin që kjo kohë ka, edhe për shkak të dakordësisë që ka në rajon, me synim që së bashku të çohet në një fazë të re ekonomia dhe jeta sociale e gjithë rajonit.

“Ne kemi propozuar që të shkojmë më tutje se sa kuadri i investimeve në Ballkanin perëndimor një strukturë mbi të cilën mund të ngrihet një mekanizëm i fortë qeverisës”, tha Rama.

Në fjalën e tij Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati deklaroi se për herë të parë paraqitet një dokument me problematika nga rajoni dhe përfaqësohet nga Shqipëria.

Sipas tij rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të transformohet më tej në një histori suksesi./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit