Transmetuar më 21-08-2014, 18:24

Boris Rajtshuster vlerësohet si armiku numër një i Putinit ndër publicistët gjermanë. Më mirë se ai, nuk e ka përshkruar askush sistemin rus të pushtetmbajtjes. Së fundmi, ai ka botuar edhe një bestseller

Boris Rajtshuster, njëri ndër kritikët më të ashpër të Putinit në Gjermani, mund të jetë krenar për vetveten. Presidenti rus, vetë personalisht e ka përmendur të paktën një herë me gojën e tij nocionin e theksuar fort nga Rajtshuster “Demokraturë”. Në një bisedë me legjendën zvicerane të skive, Bernhard Russi, i cili në vitin 2014 ishte i angazhuar në Soçi si ekspert e ndërtues pistash, Putini sipas tij duhet të ketë thënë: “Te ne në Rusi, demokracia quhet demokraturë”.

Por çfarë është ajo në fakt, një demokraturë? Me vështrimin nga Rusia (nocioni në fjalë më parë përdorej edhe për vende të tjera) bëhet shpejt e qartë: Demokraturë është një formë kontrolli mbi pushtetin, në të cilën një president i zgjedhur demokratikisht, bën gjithçka për të instaluar një regjim autoritar. Në të cilin ai i shtyn njëkohësisht të gjitha mediat, për t’u vënë në shërbim të propagandës më servile. Gjykatat manipulohen e keqpërdoren, për të vënë pas hekurave kundërshtarët politikë. Dhe që lideri është aq i sigurt në kauzën e tij, saqë ai përpiqet vetëm nën presion t’i fshehë metodat e tij të qeverisjes.

“Te ne demokracia quhet demokraturë”

Në një “demokraturë” mund të flitet plotësisht hapur për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, por ato nuk janë më shumë se ca guaska boshe. Boris Rajtshuster e di më së miri këtë, pas shumë vitesh në Rusi. Në vitin 1999, ai mori drejtimin e zyrave moskovite të revistës “Focus”, në 2006 u botua dhe vëllimi i parë i librit të tij “Demokratura e Putinit”. Me këtë, Rajtshuster paralajmëroi herët për një njeri pushtetar të rrezikshëm me emrin Vladimir Putin. Libri mori disa kritika të mira, por në përgjithësi u përshkrua si një prognozë “shumë pesimiste”.

Tetë vjet më vonë, doli në qarkullim një vëllim i dytë, i zgjeruar tashmë me 80 faqe i “Demokraturës së Putinit” (e tashmë kritikët e mëparshëm do t’i jepnin më se të drejtë Rajtshusterit. Pasi Presidenti rus, para syve të mbarë botës e shkeli me këmbë të drejtën ndërkombëtare dhe i shkëputi një shteti sovran, Ukrainës, një copë nga territori i saj, e tashmë askush nuk ka më dyshim se Vladimir Putin është një rrezik për Europën).

Kur Kremlini tregon dhëmbët

Nëse dikush nuk e ka ndjekur rrugën e Presidentit rus drejt pushtetarit autokrat në detaje, libri i Rajtshusterit i jep një mundësi të mirë për ta bërë këtë.

Denigrimi i Revolucionit oranzhist rus në 2004, lufta për gazin me Ukrainën në 2006, lufta në Kaukaz në 2008 – pra shenja për këtë ka pasur. Gjithmonë kur një ish-republikë fqinje sovjetike lëvizte në drejtim të Perëndimit, Kremlini tregonte dhëmbët. “Demokratura e Putinit” i trajton në mënyrë shumë mbresëlënëse të tilla momente, aq sa logjika e përshkallëzimit bëhet më se e qartë pas ngjarjeve e eventeve të ndodhura. Këtë histori mund ta lexosh si një roman “krimi”, nëse ai nuk do kishte qenë një realitet aktual shqetësues.

Askush nuk i afrohet dot Rajtshusterit

Rajtshuster arrin në përfundimin se: “Ne duhet të dimë t’i vlerësojmë pikat e forta të sistemit tonë dhe në fund t’i mbrojmë ato – si nga brenda, ashtu dhe jashtë: Lirinë, shtetin e së drejtës dhe demokracinë”. Ato në historinë e njerëzimit kanë qenë në më të shumtën e kohës, një përjashtim. Dhe ky i fundit shumë shpejt mund të marrë edhe fund. Në çështjet e “mbrojtjes energjike”, thuajse askush nuk mund të matet dot me Rajtshusterin.

Jo vetëm me librin, por edhe me aktivitetet e tij të përditshme në blog dhe Facebook, ai përpiqet me thuajse një forcë fanatike, që t’i bëjë jehonë çdo gënjeshtre të Kremlinit. Që ai me këto veprime shpesh damkoset si “urryesi më i madh i Rusisë”, kjo nuk e pengon aspak atë. Sikurse edhe kërcënimet për vdekje, të cilat ai merr vazhdimisht. Vetëm se nga Moska ai është tërhequr tashmë, për shkak të terrorit psikologjik të vazhdueshëm, të cilit ai i është shmangur me largimin e tij.

Marrë nga “Die Welt”

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit