Transmetuar më 21-08-2014, 14:43

Shkodër, 21 gusht 2014, NOA.al- Policia e Shkodrës bëri me dije se gjatë ditës së sotme do të vihej në zbatim një plan më i gjerë në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike.

Gjatë operacionti në terren në zonën e Pultit ndaj policisë është qëlluar me armë zjarri nga ana e banorëve. Kjo ka bërë që të hyjnë në veprim forcat RENEA, ndërsa mësohet se si pasojë e të shtënave nuk ka të lënduar.

Siç raporton  Noa.al, në këtë operacion janë përfshirë efektivë të Drejtorisë së Policisë Shkodër, në bashkëveprim me strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Forcat e Komisariateve të Policisë Ndërhyrjes së Shpejtë dhe shërbime të tjera të specializuara, me synim asgjësimin e parcelave të mbjella me lëndë narkotike.

Qëndrimi i policisë mbi operacionin antikanabis në Shkodër

Strukturat e Policisë së Shtetit prej mëngjesit të ditës së sotme kanë ndërmarrë një operacion në shkallë të gjerë për asgjësimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike në komunat e zonës së Dukagjinit, përkatësisht Shllak, Shosh, Pult dhe Temal.

Në këtë operacion janë përfshirë rreth 150 forca policore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë Qarkut Shkodër, të Komisariatit Special RENEA, Ndërhyrjes  së Shpejtë dhe shërbime të tjera të specializuara.

Në mbështetje të këtyre forcave janë vënë dhe tre helikopterë, nga të cilët 2 të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një i Policisë së Shtetit, që po kryejnë transportin e forcave policore, pasi terreni ku po zhvillohet operacioni është tepër i vështirë dhe shtrihet në një zonë të  thellë malore.

Në dispozicion të shërbimeve policore të përfshira në operacion janë vënë dhe rreth 35 mjete të llojeve të ndryshme, duke patur parasysh dhe vështirësitë që paraqet terreni.

Aktualisht strukturat e policisë, po veprojnë në 13 grupe në terren, duke asgjesuar sipërfaqet e kultivuara me bimë narkotike.

Deri në këto momente shërbimet policore të përfshira në operacion kanë bërë të mundur asgjesimin e mbi 30.000 rrënjëve bimë narkotike kanabis sativa.

Për çdo rast janë kryer veprimet procedurale dhe janë marrë mostrat përkatëse për ekzaminime të mëtejshme.

Gjatë kohës që forcat e policisë po operonin në një zonë në Komunën Pult është dëgjuar një e shtënë arme. Menjëherë janë organizuar shërbimet e Komisariatit Special RENEA, të cilat kanë shkuar në vendin e ngjarjes në mbështetje të grupeve që veprojnë në terren për të mundësuar kapjen e autorit.

Aktualisht forcat e policisë vijojnë operacionin në terren. Ky operacion do të shtrihet dhe në ditët në vijim deri në asgjesimin e të gjithë sipërfaqeve të konstatuara të kultivuara me bimë narkotike në këtë zonë.

Operacioni i ndërmarrë gjatë ditës së sotme është ndër operacionet më të gjera të zhvilluara nga strukturat e policisë për asgjesimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike, pas operacionit të zhvilluar në Lazarat.

Policia e Shtetit është e vendosur në përmbushjen e objektivave të saj për asgjesimin e çdo sipërfaqe të kultivuar me bimë narkotike dhe vënien para drejtësisë të autorëve, dhe ky operacion rikonfirmon angazhimin e saj të plotë në këtë angazhim me rëndësi kombëtare për heqjen e Shqipërisë nga harta e kultivimit të bimëve narkotike./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit