Transmetuar më 20-08-2014, 23:48

Një 14-vjeçar shqiptar është abuzuar seksualisht në mjediset e një burgu në Greqi e pas tij, viktima të përdhunimeve kanë rënë edhe dy shtetas grekë si dhe tre fëmijë po ashtu helenë.

Ngjarjet shokuese janë denoncuar në media nga e përditshmja e Athinës “Ethnos” (“Kombi”) e cila publikoi fakte lidhur me to, të investiguara nga gazetarja Maria Ritzaleou.

Abuzimet janë evidentuar në një Institut Riedukimi të të miturve, në qytetin Volos, ku janë kryer përdhunime në grup brenda një muaji.

Gjithçka ka dalë në dritën e medias pasi muajin e kaluar, një 14-vjeçar shqiptar ka denoncuar në policinë e Volos se mbahej në institutin e riedukimit të të miturve me akuzën se kishte tentuar të keqtrajtonte seksualisht një vajzë gjashtëvjeçare, por ishte përdhunuar në grup.

I mituri ka kallëzuar se ai është përdhunuar nga një 16-vjeçar rom dhe dy të rinj të tjerë të moshës 17 dhe 14 vjeç, të tre persona që mbahen aty me akuzat për vjedhje dhe bastisje.

Adoleshenti ka pohuar se u përball me shantazhe të egra nga përdhunuesit. “Nëse flet, do të therim të gjallë”, ishte kërcënimi kryesor. Djali arriti të gjejë kurajë që të bëjë denoncimin në polici.

Prokurori i qytetit të Volos ka dhënë urdhër për burgosje të 16-vjeçarit rom, ndërsa dy personat e tjerë janë rikthyer në Institutin e Riedukimit, në varësi të ministrisë së Drejtësisë.

Sakaq dje, pa kaluar pak javë, dy djem të tjerë, të moshës 15 dhe 17 vjeç, janë sulmuar nga një grup të rinjsh të këtij institucioni dhe janë përdhunuar egërsisht në banjat e ndërtesës.

Ajo që ka krijuar reagime të ashpra të opinionit publik dhe të mediave është se, edhe në këtë rast, vërtet që autorët janë akuzuar nga Prokuroria, por nuk janë burgosur dhe janë kthyer përsëri në ambientet e këtij Instituti, ndërsa viktimat nuk janë trajtuar nga psikologët e specialistët.

Para pak ditësh, tre të mitur shqiptarë të moshës 15 deri 17 vjeç u arratisën nga ky institut por u kapën sërish disa orë më vonë dhe u izoluan.

Foto kryesore: Instituti i Riedukimit në Volos, Greqi ku u denoncuan përdhunimet në grup

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit