Transmetuar më 20-08-2014, 20:40

Tiranë, 20 gusht 2014.NOA.al- “Shqipëria është një vend që ofron mundësi shumë të mira për investitorët gjermanë”. Kështu ka deklaruar sot kryeministri Edi Rama gjatë një konference të përbashkët  për shtyp me delegacionin gjerman të kryesuar nga Nënkryetari i Bundestag-ut, Johannes Singhammer. Rama vlerësoi rolin e kryeministrit të Bavarisë Franz Josef Shtrauss në krijimin e marrëdhënieve Shqipëri -Gjermani. Sipas tij Strauss e afroi Shqipërinë parakohe me BE-në.

“Është një moment i veçantë. Nisur nga ajo që tha ambasadori Hofmman se 30 vjet më parë s’do e imagjinonte kurrë që do ishte ambasador i Gjermanisë në Shqipëri. Unë besoj që nga të gjithë ne i vetmi njeri që mund ta imagjinonte të ishte këtu pas 30 vitesh është Maksi. Asnjërit nga ne të tjerët nuk i ka shkuar mendja në vitin 1984 që në 2014 mund të ishim në këtë sallë. Po të ishte paraardhësi im këtu do thoshte “This is a miracles of freedom”. Unë them që pa as më të voglin dyshim në vitin ‘84 kur kryeministri i Bavarisë Strauss u shfaq në Shqipëri, u krijuar një legjendë e madhe urbane se ishte një nga liderët evropianë që Enver Hoxha e kishte sulmuar personalisht dhe në mënyrë të përsëritur. Vizita e parë ishte një vizitë turistike për të kaluar në Hanin e Hotit dhe për të parë Shqipërinë. E vërteta është që më pas Franz Strauss bëri përpjekje reale për të krijuar një marrëdhënie konkrete me regjimin atëhershëm por u desh rrëzimi i murit të Berlinit që të fillonte transformimi.”- deklaroi Rama. Kryeministri u shpreh se “vendi ynë ofron shumë vlera që edhe gjermanë të tjerë të bien në “sevda” me të. “Unë besoj që edhe ky kremtim që ne i bëjmë atij momenti është shprehje e një vullneti jo thjesht për të kujtuar një njeri që u bë mik i shqiptarëve por edhe për të shprehur dëshirën tonë të madhe që të forcojmë marrëdhëniet me Gjermaninë dhe pse jo me Landin e Bavarisë. Maksi më ka treguar që i ati ra në sevda me Shqipërinë në atë kohë”. /k.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit