
Elbasan, 20 gusht 2014, NOA.al- Policia e Elbasanit ka nisur hetimet për të zbardhur motivet e vetëflijimit të një 16-vjeçari. Adrian Xhaja, u gjet i varur nga familjarët e tij në kasollen e bagëtive, pasditen e djeshme në fshatin Shkëndi të Elbasanit.
Nga hetimet e kryera rezultoi se 16-vjeçari kishte varur veten ndërsa u morën në pyetje familjarët për të zbardhur motivet e kësaj ngjarjeje.
Burime nga policia thanë se në deklaratën e tij, babai i adoleshentit dëshmoi se mëngjesin e djeshëm i kishte kërkuar djalit të tij të shkonte në arë për të punuar. “Pasi i kërkova të punonte në arë, ai doli nga shtëpia dhe nuk e pashë më.
Pasdreke nuk po kthehej dhe nisa ta kërkoja.
E gjeta në kasollen e bagëtive pranë banesës të vetëvarur në litar” mësohet të ketë thënë në polici babai i adoleshentit. Ai deklaroi se djali ishte i urtë dhe nuk kishte probleme me askënd. Gjatë ditëve të fundit nuk kishte konstatuar asnjë shenjë mërzitje tek ai që mund të justifikonte sadopak veprimin fatal të tij.
Mësohet se 16-vjeçari ishte fëmija më i vogël i familjes Xhaja e cila ka edhe tre fëmijë të tjerë. Policia tha se po vijojnë hetimet për të zbardhur motivet e këtij vetëflijimi. /k.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





