


Tiranë, 20 gusht 2014, NOA.al- Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, priti në një takim Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë, Bunmei Ibuki dhe delegacionin parlamentar që e shoqëron, të cilët po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Gjatë takimit ministri Bushati vlerësoi marrëdhëniet e mira që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve, duke u ndalur në thellimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Ai gjithashtu e informoi kryeparlamentarin japonez mbi rëndësinë që Qeveria shqiptare i kushton marrëdhënieve me Japoninë, duke shprehur gatishmërinë për t’i dhënë një impuls të ri bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ministri Bushati e falënderoi për kontributin e vazhdueshëm të dhënë nga Japonia nëpërmjet programeve të Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA) në Shqipëri.
Nga ana e tij Ibuki, konfirmoi gatishmërinë e palës japoneze për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Ai vlerësoi stabilitetin politik në Shqipëri si një faktor i rëndësishëm sigurie për stabilitetin dhe zhvillimet në rajon, i cili i hap udhën një pranie më të rëndësishme edhe të biznesit japonez në Shqipëri.
Gjithashtu, Ibuki shprehu gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë në organizatat financiare ndërkombëtare, si dhe për projekte të reja të rëndësishme për konsolidimin e ekonomisë shqiptare./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





