
Pak ditë përpara startit të sezonit të ri, Tirana duket se po përjeton makthin e vitit të kaluar.
24 herë kampionët, të cilët janë prezantuar në stërvitje me futbollistë tejet cilësorë, duken në ajër, kjo për faktin se ende nuk dihet se në duart e kujt është klubi, të Bashkisë së Kryeqytetit apo të sponsorëve të rinj.
Në një situatë të tillë kaotike mungojnë dhe firmat e futbollistëve, të cilët ende nuk kanë firmosur kontrata, pasi mbetet e paqartë e ardhmja e klubit.
Madje nga burime të sigurta mësohet se edhe trajneri Magani nuk ka kontratë me Tiranën, që në këto kushte bëhet gati për ndeshjen hapëse të sezonit ndaj Apoloninë me pikëpyetje të mëdha.
Në zyrat e klubit për të biseduar me futbollistët dhe stafin drejtues ka zbarkuar sponsori Morina, që ka dhënë garancitë për vijimin e sezonit, megjithatë duket se situata do të vijojë të jetë kaotike, deri në momentin kur Bashkia e Kryeqytetit të kalojë ligjërisht klubin në duart e sponsorëve të rinj, në mënyrë që të çojë deri në fund punën e nisur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 25 qershor.
Për më tepër, që Tirana të regjistrohet në kampionat, duhen dërguar kontratat e futbollistëve në FSHF, por momentalisht diçka e tillë duket e pamundur.
Projekti ambicioz i Tiranës së madhe rrezikon shumë, teksa gjithçka mbetet peng i veprimeve burokratike, që vënë sërish në shënjestër Bashkinë e Tiranës, e cila ka qenë objekt i protestave të ashpra nga ana e tifozerisë bardheblu në muajt e fundit, duke e vënë këtë institucion përpara përgjegjësisë si dhe detyrimit për të marrë vendimin e duhur.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





