Transmetuar më 18-08-2014, 16:28

Champions League troket, dhe për Napolin e Rafa Benitez vjen ora e së vërtetës. Në vigjilje të sfidës së parë ndaj Atletic Bilbao, trajneri spanjoll tregohet i sinqertë dhe kërkon të sjellë optimizëm.

"I respektojmë baskët, ata janë të fortë dhe ne jemi të fortë. Athletic mund të luajë topin ose edhe të niset në kundërsulm, dinë të mbrohen dhe të bëjnë presion.

Janë shumë të aftë në lojën në ajër, dhe ky nuk është një sekret. Ne jemi të vetëdijshëm që nuk duhet të pësojmë gol, por në të njëjtën kohë duhet të shënojmë. San Paolo nuk është më pak i vështirë sesa San Mames. Tifozët do të na japin një ndihmë të madhe."

Nga dueli i dyfishtë me Athletic Bilbao varet edhe e ardhmja e Napolit. Megjithatë falë eksperiencës së akumuluar, Benitez kërkon të ulë tensionin.

"Nëse eleminohemi nuk është një tragjedi. Megjithatë duhet të synojmë gjithnjë për të ecur sa më lart dhe për të arritur të tjerë objektiva, duke parë që jemi një skuadër e fortë. Nuk ka dyshim që ndeshja ndaj Bilbaos është e rëndësishme për tifozët dhe klubin.

Ne duhet të përballemi me kundërshtarin me bindje dhe pa frikë. Nëse luajmë si ndaj Barcelonës dhe PSG, mund të triumfojmë ndaj kujtdo."

Napoli nuk është në kulmin e gjendjes fizike, megjithatë ky fakt nuk e shqetëson Benitez.

"Jam mësuar të luaj në turet eleminatore, pasi më ka ndodhur shpesh me Liverpool. Nuk mund të vish pas një botërori dhe të luash një ndeshje eliminatore në top formë.

Unë kam besim tek skuadra sepse jemi në nivel të mirë në aspektin fizik, edhe pse kundërshtari është më përpara sesa ne."

Në fund i pyetur për merkaton dhe emrat që qarkullojnë në media, Benitez ka bërë të qartë se duhet të fokusohet tek futbollistët që ka në përbërje, pasi në këtë moment nuk ka sens të flasësh për lojtarë që nuk janë pjesë e organikës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit