Transmetuar më 18-08-2014, 17:06

Goditjet astmatike Temperaturat e larta janë të rrezikshme për ata që marrin frymë me vështirësi, pasi ato e thajnë ajrin dhe e ashpërsojnë atë. Të gjithë ata që vuajnë prej kësaj sëmundjeje, sapo vjen stina e verës, nisin njëkohësisht edhe stinën e “vuajtjeve” të tyre. Prandaj, ekspertët japin këshillën kryesore ndaj këtyre pacientëve, që të mos dalin në asnjë mënyrë gjatë pikut të vapës në stinën e nxehtë të verës. Pasi ata rrezikohen të pësojnë atake të forta astmatike, të cilat mund t’i çojnë edhe drejt vdekjes. Studiuesit kanë arritur në përfundimin se shkalla e lartë e lagështirës, shkakton probleme të mëdha në rrugët e frymëmarrjes si edhe në lëngjet e kockave. Viruset respiratore bëhen edhe më agresive në temperatura të larta. Astma bronkiale është një sëmundje alergjike e bronkeve dhe rrugëve të frymëmarrjes. Në pjesën më të madhe, në gati 80 për qind të rasteve, shkaqet përgjegjëse për shfaqjen e sëmundjes ndodhen në ajër dhe përcaktohen me anë të provave të alergjisë. Në një pjesë të vogël, gati në 20 për qind, sëmundja nuk ka shkaktarë përgjegjës të dukshëm. Por mund të ndodhë që faktorë shkaktarë të ndodhura në mjedisin e jashtëm ta shpërthejnë për herë të parë dhe ta ngacmojnë vazhdimisht sëmundjen gjatë ecurisë së saj në mënyrë të vazhdueshme. Përveç kësaj, të gjitha astmat bronkiale janë të njëjta për sa i përket mekanizmave që janë përgjegjës për ndryshimet që ndodhin në epitelin bronkial (mukozën që mbështjell bronket). Si rezultat, të gjitha astmat bronkiale janë sëmundje alergjike të rrugëve të frymëmarrjes. Shkaktarët alergjikë në ajër më të shpeshtë janë mikroorganizmat, që ndodhen te pluhurat e shtëpisë dhe polenet e ndryshme. Por ajo mund të shkaktohet dhe nga substanca të ndryshme të prejardhura nga kafshët shtëpiake, mykrat e ambienteve të brendshme, por dhe të jashtme, alergjenët e tjerë që gjenden te ilaçet dhe ushqimet, viruset e ndryshme që kapin rrugët e frymëmarrjes (të ftohurat e zakonshme). Në faktorët e jashtëm futen dhe cilësia e ajrit si: lagështia, presioni atmosferik, tymrat dhe ndotësit e ndryshëm, faktorë këta që zënë një peshë të rëndësishme në rëndimin e gjendjes shëndetësore të astmatikëve.

Këshilla parandaluese -Mbajini fëmijët në vende të ajrosura mirë -Eliminoni lagështirën, sidomos në dhomat e gjumit -Eliminoni ambientet e pa ajrosura mirë dhe me myk -Ushqeni me gji fëmijët, të paktën deri në moshën 1 vjeç -Shmangni sterilitetin e tepruar në rritjen e fëmijëve -Shmangni mbipërdorimin e detergjenteve -Shmangni përdorimin e ushqimeve që përmbajnë alergjentë -Shmangni ekspozimin ndaj poleneve të luleve -Gratë shtatzëna nuk duhet të qëndrojnë në ambiente me tym duhani -Fëmijët e vegjël nuk duhet të qëndrojnë në ambiente ku pihet duhan -Ndjekja te mjeku specialist dhe zbatimi me përpikmëri i rekomandimeve të tij

Dehidratimi Dehidratimi i organizmit ndodh atëherë kur trupi nuk merr lëngje të mjaftueshme. Në stinën e verës si pasojë e temperaturave të larta pothuajse të gjithë njerëzit janë të rrezikuar nga dehidratimi. Azilet për shembull, janë të detyruara të mbajnë një enë me ujë të ftohtë pranë krevatit të çdo pacienti. Megjithatë, mund të ketë probleme të tilla si: nuk jepen lëngje të mjaftueshme, ose pacienti nuk mundet ose nuk do të pijë lëngje, ose i duhet ndihmë. Nëse një i moshuar nuk pi lëngje aq sa duhet, ai mund të dehidratohet. Si rrjedhim ai mund të këtë infeksion, pështjellim, dhe/ose plage në trup. Shenjat janë: gojë tepër të thatë, lëkurë tepër të thatë, sy të futur thellë, gjuhë të trashur, pështjellim të pashpjegueshëm dhe/ose përgjumje të pashpjegueshme. Shumica e ekspertëve këshillojnë të pini të paktën 8-10 gota ujë në ditë nëse peshoni 75 kg. Për çdo 11 kile mbipeshë, duhet të shtoni një gotë uji. Pini më shumë nëse jetoni në klime të nxehtë ose nëse lëvizni shumë. Nëse hani fibër me shumicë (bukë, drithëra, etj.), duhet gjithashtu që të pini më shumë ujë. Shpesh, uji thirret “elementi ushqyes i harruar”. Pas ajrit, megjithëse shumë rrallë i njihet merita, uji është elementi më i rëndësishëm jetësor për shëndetin dhe jetën e njeriut. Mund të jetojmë pa ushqim për pothuajse dy muaj, nëse kemi shëndet të plotë, por mund të rrojmë vetëm pak ditë pa ujë. Uji përçon elementet ushqyes nga ushqimet që hamë si edhe mineralet që drejtojnë rrugën e këtyre elementeve, oksigjen në qelizat trupore, si edhe ndihmon rregullimin e temperaturës trupore me anë të djersës. Njeriu humb përafërsisht 2-3 litra ujë në ditë nëpërmjet shkarkimit të mbeturinave trupore dhe djersës. Veshkat duhet të shkarkojnë të paktën 280 miligram në ditë për të pastruar trupin nga mbeturinat helmuese. Kur veshkat shkarkojnë acidin urik dhe urenë, dy lëndë helmuese, këto janë të shkrira në ujë. Nëse ju nuk pini ujë të mjaftueshëm, mbeturinat nuk pastrohen si duhet dhe mund të krijojnë gurë në veshka.

Ujë i pamjaftueshëm Nëse nuk pini sasinë e duhur të ujit për të plotësuar nevojat tuaja trupore ju mund të keni këto pasoja: -Probleme tretjejeLëkure të thate dhe zë të ngjirur -Ngadalësim të organeve trupore -Probleme me mbajtjen e ujit -Dhimbje muskujsh -Dhimbje kyçesh -Rritje e toksinave (helmeve) në trup -Metabolizëm i dobët i yndyrave të trupit -Dhjamë të tepërt -Muskuj të dobët dhe formë të keqe trupore -Kapsllëk të përhershëm

Tensioni i lartë i gjakut Tensioni i lartë i gjakut është një sëmundje, që bëhet mjaft serioze gjatë stinës së verës. Me rritjen e temperaturës, sistemi kardiovaskular është i pari që preket, pasi aorta dhe venat e tjera ngushtohen dhe shkaktojnë probleme me shëndetin. Hipertensioni është një prej sëmundjeve shumë të rrezikshme gjatë periudhës së verës. Edhe më serioze sëmundja bëhet te personat që paralelisht vuajnë edhe nga sëmundje të tjera kronike. Për të gjithë këta të sëmurë shumë e rëndësishme është shmangia e ekspozimit në diell gjatë pikut të vapës, pasi mund të pësojnë infarkte ose kriza të rënda, që çojnë në humbjen e jetës. Për të lehtësuar disi këtë problem, mjekësia popullore vjen në ndihmë me kurat e përftuara nga bimët natyrore. Një mënyrë mjaft e suksesshme për uljen e tensionit të lartë të gjakut, është lëngu i limonit. Hipertensioni arterial është ngritja e presionit në enët e gjakut. Shenjat e sëmundjes shfaqen gradualisht. Presioni arterial, në fazat fillestare, lëkundet me ngritje e zbritje dhe më vonë stabilizohet me shifra të ngritura. Me zhvillimin e mëtejshëm të sëmundjes shfaqen dhimbjet e kokës, marrja e mendve, çrregullimi i gjumit, shpejtimi i ritmit të pulsit si dhe dobësi e përgjithshme. Thellimi i gjendjes së hipertensionit mund të sjellë edhe ndryshime në zemër, e cila fillon të zgjerohet. Kjo sëmundje nganjëherë shoqërohet me arteriosklerozën e enëve të gjakut, që nuk lë pa prekur enët koronare që ushqejnë zemrën, ngushtimi i të cilave shkakton dhembje në zonën e zemrës, vështirësi në frymëmarrje gjatë sforcimit fizik. Në të gjitha këto sëmundje të shkaktuara nga hipertensioni, lëngu i limonit jep rezultate shumë të mira, ndaj dhe mjekët popullorë këshillojnë që kjo agrume të konsumohet sa më shpesh për parandalimin e tyre. Ekspozimi në diell në orët më të nxehta gjatë ditës, i personave që vuajnë nga hipertensioni dhe në veçanti i atyre që përveç saj vuajnë edhe nga sëmundje të zemrës, mund të shtojë rrezikun e e krizave dhe të infarktit. Simptomat Hipertensioni zakonisht zhvillohet pa shumë ndërlikime, por në raste të tensionit të lartë paraqet këto simptoma: -Dhimbje koke -Marramendje -Dhimbje dhe ndjenje rëndese në gjoks -Pagjumësi -Urinim i shpeshtë -Etje e madhe -Dobësi muskulore dhe humbje ekuilibri. Rekomandime -Humbisni peshën e tepërt -Shëtisni -Lini duhanin -Kontrolloni stresin -Mbani regjim të rregullt ushqimor -Preferoni frutat dhe zarzavatet -Rregulloni temperaturën e shtëpisë

Tromboza Temperaturat e lartë gjatë stinës së verës bëhen shkak për shfaqjen e trombozave dhe ishemive. Për të parandaluar rrezikun e goditjeve nga dielli duhet të kihen parasysh rregullat dhe këshillat kryesore që japin mjekët. Ndërkohë që më të rrezikuarit nga temperaturat e larta janë të moshuarit, sidomos ata që kanë probleme me zemrën dhe fëmijët. Mjekët rekomandojnë të pini sa më shumë lëngje për të shmangur dehidratimin e organizmit, e për rrjedhojë, për të luftuar trombozat. Këshilla mbërrin nga kirurgët e shoqërisë italiane të kirurgjisë vaskulare dhe endovaskulare, që shpjegojnë se si me anë të djersës arrihet një përqendrim më i madh i rruazave të kuqe të gjakut dhe të trombociteve, duke shtuar rrezikun për shfaqjen e trombozave dhe ishemive te personat e predispozuar. “Patologjitë e vjetra zakonisht përkufizoheshin si ‘inspissatio sanguinis’”,- shpjegon Domenico Palombo, kirurg vaskular dhe predisent i Sicve. Sipas tij, te personat e predispozuar kjo gjendje favorizonte zhvillimin e trombozave venoze dhe arteriale. Faktorët predispozues përfaqësohen nga disa sëmundje hematologjike, si shtimi i trombociteve dhe ai i rruazave të kuqe të gjakut, për të kaluar te problemet që shfaqen me koagulimin, konjunktivitet e shkaktuar nga sëmundjet e imunitetit dhe tumorale. Në veçanti, trombozat arteriale janë më të fshehura. Janë të shumtë studimet që mbështesin rolin e “inspissatio sanguinis” në shfaqjen e këtyre trombozave. Kjo është arsyeja që gjatë kësaj periudhe të vitit kërkohet një kujdes i jashtëzakonshëm për parandalimin e këtyre problemeve. Nga analizimi i të dhënave të mbledhura nga rastet klinike të paraqitura ndër vite, ka rezultuar se ekziston një lidhje e ngushtë mes nxehtësisë dhe shtimit të numrit të rasteve me këtë patologji.

Rregullat antitrombozë -Pini vazhdimisht ujë, deri në 2 litra në ditë, në mënyrë që të arrini ta bëni gjakun më fluid -Nëse djersini shumë, përdorni përbërës të kripës -Shmangni ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta -Mos praktikoni aktivitete fizike intensive, sidomos nëse dielli është i nxehtë -Mos e teproni me ushqime dhe preferoni perimet, frutat dhe brumërat -Për personat e predispozuar këshillohet përdorimi i antikoagulantëve, por gjithmonë nën rekomandimin e mjekut specialist

Zemra Problemet me zemrën mund të jenë shkaktarë kryesorë të vdekjeve në femra dhe meshkuj, por ju nuk keni pse te trembeni duke e pranuar si një risk tuajin. Edhe pse nuk mund të keni fuqinë të ndryshoni disa faktorë rriskues si historia e familjes, mosha dhe raca, ju keni gjithmonë në dorë të jetoni me stil. Shmangni dëmtimet në zemër, duke lënë duhanin, bëni ushtrime rregullisht dhe hani ushqime të shëndetshme. Ja pesë strategjitë nga mund t’ia nisni: Mos pini duhan! Nëse i bëni dalje duhanit, atëherë keni në dorë fuqinë e madhe të parandalimit nga infarktet. Cilësia e cigareve nuk të jep siguri. Cigaret me përqindje nikotine të ulët, janë njësoj rriskues si për ata që nuk e pinë duhanin por e marrin në ambientin ku pihet nga të tjerët. Femrat që pinë duhan janë shumë herë më të rriskuar se të tjerat. Madje kanë një ulje të moshës së infarkteve, mbi 35 vjeç. Tashmë e dini se ushtrimet gjimnastikore janë më e mira për ju. Por ende nuk bëni asnjë: -Ushtrimet e rregullta fizike të kombinuara me një jetë të organizuar mirë, ndihmojnë në arritjen e një peshe trupore normale dhe reduktojnë mjaft goditjet në zemër. Ato ndihmojnë reduktimin e presionit të lartë të gjakut, kolesterolit të lartë dhe diabetit. -Përdorni një dietë të pasur me fruta, perime, drithëra, peshk që mbrojnë zemrën. -Limitoni konsumimin e yndyrave, si mish, djathë, gjalpë, qumësht. Përdorni fasulet dhe thjerrëzat në vend të mishit. -Frutat dhe perimet janë parandaluesit kryesorë jo vetëm të sëmundjeve të zemrës por edhe të kancerit, shprehet kardiologët. Ruani peshën normale. Mbipesha është e rrezikshme. -Bëni rregullisht ekzaminime. -Presioni i lartë i gjakut dhe kolesteroli i lartë dobësojnë sistemin kardiovaskular, duke përfshirë dhe zemrën. -Ekzaminimet e rregullta ju tregojnë rrugën se ku të mjekoheni.

Infarkti Mbi 25 për qind të njerëzve që vdesin nga sulmi në zemër, nuk kanë simptoma paralajmëruese, siç është dhimbja e gjoksit. Nuk mund të mbështetemi në mendimin se, “nëse kam sulm në zemër, mjekët do të më shpëtojnë dhe do të më japin barna, sepse disa njerëz nuk arrijnë në spital, vdesin në shtëpi”. Për këtë arsye, parandalimi duhet të fillojë herët. Infarktet në zemër ndodhin kur një ose më shumë arterie të zemrës bllokohen, duke zvogëluar ose ndërprerë rrjedhën e gjakut që të arrijë në një pjesë të caktuar të muskulit të zemrës. Ato zakonisht paraprihen nga formacionet e depozitimit të yndyrave ose pllakave yndyrore brenda murit të arterieve, duke bërë që të formohen mpiksjet e gjakut (trombët) të cilat e mbyllin arterien. Nëse furnizimi me gjak ndërpritet disa minuta, pason vdekja. Një prej veprimeve që duhet të bëni për ta parandaluar sulmin në zemër është ndryshimi i ushqimit. -Duhet të merrni të gjitha ushqimet, por dominues duhet të jetë ushqimi vegjetarian, i përbërë nga pemët dhe perimet e freskëta, të cilat përmbajnë vitamina dhe minerale. -Merrni një lugë vaj ulliri në ditë bashkë me sallatë dhe përdorni më shpesh mishin e peshkut, i cili përmban acide të shumta yndyrore omega-3, që zvogëlojnë kolesterolin dhe si rrjedhojë, edhe rrezikun për sëmundje kardiovaskulare. -Disa vezë në javë nuk janë të ndaluara. Edhe mishi lejohet, por pa dhjam dhe në sasi më të vogël. Po ashtu mund të merren në sasi jo të tepërt edhe arrat, bajamet, lajthitë dhe shqemet, por në kokrra të plota. Kontrollimi i porcionit do të ndihmojë që të keni në dorë peshën tuaj. Kur të gatuani mos hidhni gjysmën e orizit në tenxhere, por duhet ta matni atë. Shmangni lëngjet e ftohta dhe ushqimet e kripura. Nëse mund të braktisni disa kafshime, keni krijuar barrierë ndërmjet jush edhe ushqimit. Jeni të ngopur, por nuk jeni aq sa të keni nevojë të shkopsitni pantallonat.

Qarkullimi i gjakut Lëng i kuq në vena i domosdoshëm për jetën tek njerëzit dhe kafshët e rendit më të lartë që mbart oksigjen, lëndët ushqyese etj. përbrenda trupit dhe mban në marrëdhënie me njëri-tjetrin qelizat aktive dhe indet e trupit; ndonjëherë quhet kështu edhe lëngu me funksion të ngjashëm tek kafshët e rendit më të ulët. Lidhja e vazhdueshme që mundëson gjaku midis qelizave aktive dhe indeve të trupit furnizon indet me energji dhe lejon daljen e materialeve te padobishme, përfshirë acidin karbonik, të cila kalojnë nga indet ne gjak. Normalisht zbret çdo 24 orë përafërsisht dy deri tre litra lëngje në zorrë nga ushqimi dhe pijet. Përveç kësaj krijohen çdo 24 orë gjashtë deri shtatë litra lëngje në kanalin midis stomakut dhe zorrës nga gjëndrat e pështymës, stomaku, pankreasi, tëmthi dhe zorra e hollë. Pjesa më e madhe e lëngjeve thithet nga muri i zorrës thellë në zorrën e hollë dhe kalon pastaj në gjak. Pirja e një deri në dy gota uji esëll në mëngjes është kuruese, sepse te gjitha helmet që janë formuar natën ne gjak pastrohen. Sekrecionet e shumë gjëndrave të trupit kalojnë nëpërmjet gjakut në indet e ndryshme që janë të destinuar të influencojnë. Gjithashtu qarkullimi i gjakut luan rol themelor në mbajtjen konstante të temperaturës së trupit në pjesë të ndryshme të tij. Nga neuropërcjellësi katekolaminë varet kontrolli i trysnisë së gjakut. Gjaku është me ngjyre te kuqe, viskoz, opak, alkalin (në reaksion) e me një erë të dobët por karakteristike. Përbëhet nga një likuid transparent, ngjyrë të verdhë të hapur i quajtur plazma ose liquor sanguinis, në të cilin ”notojnë” një numër i pafund qelizash apo trupëzash, qelizat e bardha dhe të kuqe e plateletet e gjakut.

Më shumë lajme nga SHËNDETI

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit