
U mbyll me një fitore 5-0, turi aziatik për Juventusin e Massimiliano Allegrit, citon Supersport.
Bardhezinjtë të udhëhequr nga Pirlo në pjesën e parë me një gol model nga goditja e dënimit por edhe me një tjetër finalizim nga pika e bardhë e penalltisë, mposhtën pa shumë vështirësi në sfidën e tyre të fundit jashtë kontinentit europian kombëtaren e Singaporit.
Në pjesën e dytë te Juventusi e gjetën rrugën e rrjetës edhe Pogba me një aksion personal, Giovinco me një goditje të bukur fluturimthi si dhe Asamoah, i cili shënoi pas një kundërsulmi të shpejtë të skuadrës bardhezi.
Ndaj kombëtares së Singaporit që në përbërje kishte edhe disa nga lojtarët më të mirë të kampionatit vendas, Juventusi dhuroi një performancë shumë të mirë edhe pse trajnerit Allegri në këtë sfidë i duhej të hiqte dorë nga Carlos Tevez.
Në përfundim të sfidës trajneri i torinezëve u shfaq në një konferencë për shtyp ku foli për objektivat që do të ketë skuadra e tij në sezonin e ri.
“Objektivi i parë sezonal për ne do të jetë kalimi i fazës së grupeve në Uefa Champions League. E dimë që është një kompeticion shumë i vështirë dhe na duhet të japim maksimumin tonë në çdo ndeshje.
Për të synuar maksimumin në Champions do ta nevojitet, që të gjithë lojtarët të jenë në formën e tyre më të mirë. Pirlon e shoh e shumë mirë. Sa i përket Tevez, nuk dëshiroja ta rrezikoja atë në ndeshjen me Singaporin, ndërsa Vidal javën e ardhshme do të jetë me skuadrën”.
Përballë Singaporit, Allegri provoi zgjedhje të ndryshme taktike dhe sidomos në mbrojtje. I pyetur mbi këtë çështje trajneri 47-vjeçar shtoi.
“Mendoj se bëmë një paraqitje të mirë në këtë sfidë. Ndryshimi i shpeshtë i skemës ishte një nga gjërat që dëshiroja të shihja më shumë.
Pjesa e dytë ishte më e mirë për ne dhe dua të them që mbeta shumë i kënaqur nga reparti i mbrojtjes”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





