Transmetuar më 15-08-2014, 11:24

Tiranë, 15 gusht 2014, NOA.al- Projekt-buxheti për vitin e ardhshëm nuk parashikon as rritje pagash dhe as indeksimin e tyre sipas normës së inflacionit.

Ministria e Financave përcakton 12 milionë dollarë më shumë vetëm për fondin e pensioneve. Sipas parashikimeve, edhe vitin e ardhshëm pensionet do të indeksohen me 2 për qind më shumë se viti 2014.

Gazeta “Mapo” shkruan se pagat e administratës gjatë tri viteve do të mbetën në vendnumëro, ndërsa pensionet do të indeksohen me inflacionin.

Sipas tavaneve të shpenzimeve buxhetore të miratuara për vitin që vjen, pagat jo vetëm që nuk do të rriten më tej, por as nuk do të indeksohen me inflacionin.

Rritje në nivelin 2 për qind me masën e inflacionit do të përfitojnë vetëm pensionet.

Pak kohë më parë Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, deklaroi se qeveria vendosi të rrisë me 2 per qind që në vitin e saj të parë, pensionet e plota, të pjesshme, pensionet e reduktuara, pensionet e parakohshme të pleqërisë, pensionet e invaliditetit dhe familjare, pensionet për vjetërsi shërbimi, si në qytet ashtu edhe në fshat.

Ai bëri me dije se në të njëjtën masë, rriten edhe pensionet suplementare për ushtarakët, policinë e shtetit, punonjësve të gardës, shërbimit informativ të shtetit, policisë së burgjeve, zjarrfikësit dhe shërbimit të kontrollit të brendshëm, të punonjësve me tituj shkencorë, si edhe trajtimet e veçanta financiare të pilotëve, ish-detarëve, të ish punonjësve të industrisë ushtarake, trajtimet e veçanta financiare të ish-minatorëve./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit