Transmetuar më 14-08-2014, 11:56

Edhe pse mbush plot 46 vjet në skenë ajo është gjithmonë e angazhuar dhe me plot projekte dhe ide të reja, këngë të reja. Këngëtarja e njohur e polifonisë labe, Paro Ziflai, në një intervistë për agjencinë e lajmeve NOA, tregon çdo detaj të karrierës së saj, se si lindi dëshira për këngën dhe si ka ecur në rrugën e muzikës popullore. Ajo thotë se kënga labe e bën njeriun që të harrojë çdo hall për momente të caktuara. Këngëtarja e mirënjohur tregon për bashkëpunimet e saj, për festivalet që ka marrë pjesë si dhe për çmimet që ka marrë gjatë gjithë karrierës së saj. Gjithashtu ajo tregon për koncertet e organizuara jashtë vendi dhe për ndjesitë që ka përjetuar atje.

Intervistoi: Era Çela / NOA.al

Gjithnjë e angazhuar, gjithnjë me këngë të reja dhe me ide të reja. Cilat janë këngët më të fundit të Paros?

Së pari ju falënderoj juve dhe Agjencinë Kombëtare të Lajmeve NOA për këtë intervistë. Kënga për mua nuk është vetëm diçka, është gjithçka, shoqëruesja ime për 46 vjet. Këngët e fundit të miat janë “Nuse moj tu bëftë nëna”, “Amanet bijë”, “Labëri Toskëri”, ”Dashuri moj hallemadhe” si dhe “Nëna jonë madhështore”.

Çfarë do t’u thoshit atyre që mendojnë se pas 46 vjetësh ka ardhur koha për ta mbyllur karrierën?

Për asnjë moment nuk do ndal së kënduari, jam e lidhur shpirtërisht me këngën kam lindur dhe do te vdes me atë.

Si do ta përcaktonit me pak fjalë muzikën që ju këndoni?

Kënga polifonike është shumë e bukur, aq e bukur sa i bën njerëzit të harrojnë çdo hall për momente të caktuara.

Por ka filluar të ndjehet shkrirja edhe me këngën e lehtë…

Është më e thjeshtë kur e gjejnë tekstin dhe muzikën gati, prandaj marrin nga polifonia.

Si mund të luftohet pirateria e këngës popullore?

Sa kohë që ligji të mos zbatohet, pirateria do të vazhdojë të rrijë ulur gju më gju me ne.

Kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë?

Kam kënduar që në vegjëli. Nëna ime ka qenë këngëtare skene e talentuar dhe kur ajo shkonte me shoqet për prova për këngë me iso me grupin e saj të grave “Lekdush”, më merrte me vete. Dëgjimi i këngëve më bënte të fluturoja, sidomos kur dëgjoja këngët e bukura të trevës së Kurveleshit. Prej saj mbaj mend këngë shumë të bukura që sot i dëgjoj në gojën e këngëtarëve të ndryshëm. Në familjen tonë ishte e pranishme kënga në çdo moment. Veç nënës, vëllai, Luani, i binte fyellit shumë bukur dhe ne e plotësonim me iso. Luani është poet, shkruan dhe boton libra. Vëllai tjetër, Avniu, më i vogli nga fëmijët, këndon shumë bukur, por nuk iu “qep” këngës si unë.

Cila ka qenë kënga e parë me të cilën keni marrë pjesë në festivalin e Gjirokastrës?

Jam angazhuar me këngën që nga klasa e dytë fillore dhe deri tani që po flas me ju. Në vitin 1968 ishte festivali folklorik kombëtar i Gjirokastrës dhe unë me grupin e të rejave të Lekdushit u ngjitëm në skenë me këngët “Doli hëna buzë malit”, “Hënë o hënë bukuri” dhe kënga tjetër për Mustafa Matohitin, Hero i Popullit.

Në sa festivale keni marrë pjesë dhe keni marrë ndonjë çmim?

Që nga viti 1983 e deri më sot kam marrë pjesë në shtatë festivale. Duke qenë 46 vjet pa u shkëputur për asnjë moment, sigurisht çmimet kanë ardhur, por ka akoma. Ndoshta kujtohet dikush që këtë vit është 45-vjetori i grupit të Bënçës dhe ndoshta plotësohemi edhe me një tjetër çmim.

Ju keni bashkëpunuar me shumë grupe muzikore, cilat prej tyre do të quanit më të suksesshme?

Punimi i parë ka qenë me grupin e djemve të Vjosës me këngët “Doli hëna për kusarë”, “O filxhan babaxhan” që janë bërë shumë të dashura për publikun. Nuk ka dasmë që të mos këndohen, pa harruar këngën “Nënë e bijë” me Silva Gunbardhin që vazhdon të mbetet si në ditët e para që doli, shumë e pëlqyer. “S’kemi më kufi, s’jemi më të ndarë, në çdo vend të botës djema jeni shqiptarë”, edhe kjo po aq e dashur për publikun. Vazhdojnë të tjerat “Labëri dhe Toskëri”  ku unë gjithmonë e theksoj me krenari Labërinë time. Të gjitha këto janë bashkëpunime me grupe dhe artistë të ndryshëm dhe te gjitha këto janë të suksesshme, ndaj unë nuk mund të veçoj asnjërën pre tyre.

Përse vendosët të ndërprisni bashkëpunimet me këto grupe?

Nuk është e vërtetë që i kam ndërprerë marrëdhëniet me polifoninë. Së fundmi kishim ftesë për në Janinë me grupin polifonik të Bënçës.

Cili ka qenë momenti që ju jeni ndjerë më keq në skenë?

Për asnjë moment nuk jam nderë keq në skenë. Kam qenë dhe vazhdoj të jem e lumtur që jam shumë mirë me shëndet dhe vokal.

Po momenti më i bukur?

Për mua çdo moment që dal në skenë është i lumtur, se pa skenën unë nuk do kisha asnjë moment lumturie.

Ç’mendim keni për këngëtarët e rinj?

Për këngëtarët e rinj nuk bëj asnjë koment.

Cila do të ishte këshilla që do t’u jepnit?

I këshilloj të jenë më origjinalë. Ka evoluim, por me karar. Vështirësitë njihen. Nuk është shumë e thjeshtë të nxjerrësh këngë të re. Duhet të mendosh tekstin, muzikën, gardërobën e deri te skenari që do të xhirohet.

Ju keni qenë në shumë koncerte në vende të tjera si në Amerikë, Itali etj. Si kanë reaguar shqiptarët kur ju kanë takuar atje?

Publiku për mua ka pikët maksimale. Jam e mirëpritur si në Shqipëri dhe jashtë saj. Veç urimeve dhe kënaqësisë pa fund që marr, po aq kënaqësi dua t’i dhuroj publikut i cili është i mrekullueshëm. Po e deshe, sigurisht që dhe ai të do pa fund dhe sidomos emigrantët shqiptarë që janë të përmalluar për vendin dhe muzikën shqiptare.

Na tregoni diçka të veçantë nga turnetë që ju keni bërë jashtë Shqipërisë?

Vitin e kaluar isha në Amerikë dhe atje më treguan se një vajzë e vogël 1-vjeçe ishte shumë e dashuruar me muzikën shqiptare, aq sa e çonin në gjumë me këngët e mia duke i thënë “Paro, Paro”. E takova vogëlushen, i këndova zemrës së vogël dhe ajo më shihte me habi. Do të më mbetet në kujtesë: aq e vockël dhe shumë e ndjeshme për këngën shqiptare. Nuk harroj gjithë ata njerëz të përmalluar që me takonin me shumë dashuri. Në Cleveland improvizuam koncert me shqiptarët nga Mallakastra dhe të tjerë, ja shkulëm labçe. Më vlerësuan edhe me certifikatë ekselence nga grupi polifonik “Nohaio” në SHBA. Gjej rastin të falenderoj organizatorët e këtij koncerti, Hysen Elmazaj, mallakastriot, që bëri të mundur vajtjen time atje dhe Agim Kurti nga Malësia e Madhe që kanë falenderime pa fund për organizimin e koncerteve atje.

Së fundmi na thuaj diçka për mbështetësit tuaj?

Mbështetësit e mi janë djali që më jep kurajë dhe forca ime. Ju faleminderit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit