Transmetuar më 14-08-2014, 09:41

Tiranë, 14 gusht 2014, NOA.al- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Alexander Arvizu ka zhvilluar një vizitë në Bankën e Shqipërisë.

Gjatë kësaj vizite në orët e para të mëngjesit të sotëm ai është takuar me Guvernatorin e BSH, Ardian Fullani, ku është diskutuar lidhur me vjedhjen e mbi 700 milionë lekëve në institucionin bankar.

Në përfundim të takimit ambasadori Arvizu deklaroi se gjatë takimit u fol për situatën për vjedhjen e ndodhur në Bankën e Shqipërisë, duke u ndalur në rëndësinë e përmirësimit të sistemit.

Ai tha se është e rëndësishme që të kthehet besimi te Banka, ndërsa nënvizoi se rëndësi ka vijimi i hetimeve, pasi është një çëshje serioze.

Arvizu tha se lidhur me këtë çështje nuk duhet të ketë implikime politike, por të lihet në dorë të hetimeve, pasi kjo gjë kërkon maturinë e duhur, pasi e cilësoi si një akt kriminal.

“Banka e Shqipërisë bashkëvepron me FMN, BB, dhe shumë banka të tjera, duke pasur parasysh rëndësinë e saj. Stabiliteti i bankës është shumë i rëndësishëm, ndaj ne e kuptojmë se populli është i shqetësuar dhe i mërzitur, por e rëndësishme është që hetimi kriminal të zhvillohet . Kur parlamenti të mblidhet në shtator, besoj do ketë edhe seanca dëgjimore, pasi Banka duhet të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe të jetë në interesin e popullit”, u shpreh Arvizu

I pyetur nëse Guvernatori Fullani duhet të dorëhiqet, ai tha se është një individ që duhet ta marë vendim, por shtoi se e rëndësishme është që banka të veprojë në mënyrë efikase.

Sipas tij, mesazhi i SHBA është rëndësia e stabilitetit të vendit, për të forcuar procedurat e brendshme në mënyrë që njerëzit të kenë besim te Banka e Shqipërisë.

Ndërkohë pak pas mesditës së sotme do të mblidhet Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, ku do të diskutohet lidhur me përgjegjësitë e vjedhes së shumës së parave, ndërsa mësohet se do të kërkohet edhe dorëheqja e Guvernatorit Fullani.

Vjedhja në Bankën e Shqipërisë u zbulua gjatë kohës kur një komision i ngritur nga Banka e Shqipërisë, do të bënte inventarizimin e parave që ishin nxjerrë nga qarkullimi apo atyre që ishin gati të hidheshin në qarkullim.

Si përgjegjës për këtë vjedhje u arrestuan dy punonjësit e BSH, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia.

Puna e organeve hetimore nisi në momentin kur Ardian Bitraj rrëfeu përpara komisionit të ngritur nga Banka për kontrollin e sasive të parave të stokut, se bashkë me kolegen e tij, Mimoza Burzia, kanë nxjerrë shuma të konsiderueshme parash nga sektori ku ai punonte.

Bitraj, në bashkëpunim me Bruzian nxirrte nga sektori i Arkës Stok, shuma të konsiderueshme lekësh që ishin bërë gati për t’u hedhur në qarkullim dhe të tjera që ishin bërë gati për t’u asgjësuar./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit