Transmetuar më 13-08-2014, 13:09

Tiranë, 13 gusht 2014, NOA.al- Deputeti demokrat Helidon Bushati, deklaroi se kuotat e reja të pranimeve në universitetet publike, janë 12 mijë më pak se vitin e kaluar.

Bushati tha se me firmën e tij, Edi Rama, ka vendosur që 12 mijë të rinj të mos zgjedhin të ardhmen që ata duan, të mos zgjedhin, auditorin, leksionet dhe dijen.

Sipas tij, shkurtimi drastik i kuotave është arbitrar dhe shkon kundër aspiratave të rinisë shqiptare për edukim dhe kundër nevojave që ka vendi ynë.

“Edi Rama ka detyruar kështu 12 mijë të rinj të bëjnë zgjedhje të tjera të imponuara, duke i bërë ata vulnerabël ndaj jetës vegjetative, bareve e lokaleve, apo edhe më keq, duke i shtyrë drejt veseve si bixhozi, apo edhe drejt rrugës, e potencialisht krimit. Shkurtimi i kuotave të pranimit në universitete është një nga goditjet e Edi Ramës ndaj arsimit, dhe vjen në kohën kur prej një viti ai nuk ka bërë asnjë investim në infrastrukturën mësimore, nuk ka mbajtur premtimin për rritjen e fondit të ekselencës, apo për cuarjen në pesë përqind të buxhetit për arsimin”, u shpreh Bushati.

Në vijim, deputeti demokrat shtoi se me kuotat e reja, Edi Rama u ka ndaluar ëndrrat për të ardhmen 12 mijë të rinjve e të rejave, dhe ky është një akt armiqësor ndaj këtij brezi, krejt e kundërta e propagandës boshe që Kryeministri dhe të tijtë bëjnë për rininë./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit