Transmetuar më 18-08-2014, 12:16

(Përditësuar, 18 gusht 2014)/Qendra për Drejtësi dhe Solidaritet ka deklaruar se 11 nga 18 universitetet private që iu hoq licenca ishin të akredituara.

Në qëndrimin e QDS, thuhet se Ministria e Arasimit tejkaloi kompetencat dhe hodhi poshtë institucionin e pavarur: Këshilli Kombëtar i Akredititmit.

Qëndrimi i plotë i QDS

Ka qenë vendimi me nr.303 datë 1.7.1999 që ka hedhur bazat mbi krijimin e sistemit të akreditimit në arsimin e lartë, në vendin tonë, gati 15 vjet më parë. Një ndër institucionet e sistemit të akreditimit të arsimit të lartë është dhe Këshilli i Akreditimit i cili funksionon si një institucion i pavarur pranë Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë dhe organizohet sipas përcaktimeve të bëra në ligjin nr.9741, datë 21.5.2007 "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar. Numri i anëtarëve të Këshillit të Akreditimit është 11, nga të cilët pesë anëtarë të këtij këshilli janë propozuar nga institucionet e arsimit të lartë, 3 ekspertë të fushës, dy nga të cilët janë të huaj, të propozuar nga agjencitë ndërkombëtare të akreditimit, dhe një ekspert, përfaqësues i sektorit privat, një përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, një përfaqësues nga Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës, dhe një student i propozuar nga Këshilli Kombëtar Studentor. Vendimet e Këshillit të Akreditimit merren me shumicë të cilësuar, prej ¾ të të gjithë anëtarëve në fushën e vlerësimit të cilësisë në arsimin e lartë.

Sa më lart ishte për të njohur sadopak fushën e veprimit të Këshillit të Akreditimit i cili në fakt gjatë funksionimit të tij ka akredituar disa institucione të arsimit privat, të cilave me VKM nr. 539 dt.6.08.2014 ju hoq licenca. Pyetja që ngrihet është nësë këto universitete u akredituan duke mos plotësuar standardet apo inspektimi i ministrisë së arsimit, i përfolur si një proces i kompromentuar edhe për shkak të denoncimit të Drejtoreshës së Ligjshmërisë me doktoraturë false, ishte vërtetë i tillë? Duke i hedhur një sy listës së universiteteve të mbyllura konstatojmë se 11 nga 18 universitet që ju hoq licenca ishin të akredituara.

Lista e institucioneve të akredituara që ju është hequr licenca :

1.SH.L.U.P "Vitrina"

2. SHLUP "Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës"

3.SHLUP "Universiteti Planetar i Tiranës"

4.SHLUP "Shkolla e Lartë Nëna Mbretëreshë, Geraldinë"

5.Kolegji profesional “ARGENT”

6. SH.L.U.P "Universiteti Kristal"

7."Shkolla e Lartë Private e Edukimit"

8.Kolegjet Profesionale, Private, “Medicom”

9.SHLUP "Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës"

10.SHLUP "Gjon Buzuku"

11.SHLUP "Medikadent"

Me faktin e sipërpërmendur duket se krahas investimit të privatëve për të rritur cilësinë në arsim dhe për tu ngritur një nivel më lart në zbatueshmërinë e ligjeve shqiptare, që tashmë është hedhur poshtë, kjo reformë i ngjan kalasë së Rozafës të cilën me të njëjtin qëllim dhe të njëjtit vëllezër e ngrinin natën e ju prishej ditën, e ngrinin ditën e ju shëmbej natën.Të gjitha raportet dhe vlerësimet e Këshillit të Akreditimit, për këto Universitete private, theksojmë që janë akreditime institucionale, pra që përfshin të gjitha njësitë përbërëse të tyre. Por as kjo nuk mjaftoi për qeverinë e cila që përpara se ta “realizonte” e vuri në listën e arritjeve të saj të 300 ditëve të para të qeverisjes, reformën e arsimit të lartë.

Përse nuk u lejua Agjencia Britanike e Akreditimit ta bëntë vlerësimin e të gjitha institucioneve të arsimit të lartë, por njëkohësisht në mënyrë indirekte të bënte dhe një punë vlerësuese përsa i përket aktivitetit të Këshillit të Akreditimit në Shqipëri?Kësaj pyetjeje qeveria duket se nuk do ti përgjigjet, por për momentin as Këshilli i Akreditimit. Të pyetur nga stafi i Qendrës për Drejtësi dhe Solidaritet, kryetari dhe antarët e Këshillit të Akreditimit, nuk kanë pranuar të përgjigjen në lidhje me këtë kauzë, e cili ka pasur një kosto të gjithanshme, duke renditur në vend të parë studentët, duke ndërprerë kështu e futur në një kaos rrugën e tyre të arsimit.

16 gusht 2014/ QDS: Ejona Isufaj mashtroi Kryeministrin, me vetëdije përdori diplomën false

Qendra për Drejtësi dhe Solidaritet ka prezantuar ato që i ka cilësuar prova të reja për Ejona Isufaj, duke shtuar se ajo mashtroi Kryeministrin Rama

Në një qëndrim të QDS thuhet se Ejona Isufaj, Drejtoresha e Inspektimit pranë Inspektoratit Shtetëror të Arsimit në prononcimin e saj publik ka mashtruar Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Arsimit Lindita Nikolla si dhe gjithë publikun shqiptar.

“Qendra për Drejtësi dhe Solidaritet” sjell prova të reja në lidhje me shkeljet e ligjit të Ejona Isufaj, më konkretisht, sapo kemi siguruar një shkresë zyrtare të “Shkollës së Lartë Private Vitrina” me nr. Prot 38, datë 25.01.2013 nënshkruar prej saj, ku jep dorëheqjen nga aty, por në kontraditë me këtë fakt, Ejona Isufaj ju drejtua publikut dhe sqaroi se në vitin 2012 mësoi se diploma e saj ishte e falsifikuar. Nga një logjikë e qartë del mashtrimi i saj publik, pasi nga viti 2012 e deri në datë 25.01.2013 Ejona Isufaj përdorte me vetëdije dhe me dijeni të plotë dokumentat e saj false”, thuhet nga ana e QDS.

Më tej bëhet e ditur se “Qendra për Drejtësi dhe Solidaritet”, do të vijojë të mbledhë prova e fakte, jo vetëm për Kryeministrin e vendit Edi Rama, por edhe për Prokurorinë me qëllim vënien para drejtësisë të kësaj drejtuese të lartë të Ministrisë së Arsimit që kreu procesin e ligjshmërisë së dhjetra universiteteve private, ku në konflikt të hapur me “Shkollën e Lartë Private Vitrina”, nuk dha dorëheqjen.

“Shpresojmë që këtë akt sa ligjor dhe të dobishëm znj.Isufaj ta bëj tani me largimin e saj nga një post që nuk e meriton”, thuhet në mbyllje të qëndrimit.

15 gusht 2014/ Letër e Hapur! – Vlashaj, Arvizu: Rama, “pushkatim pa gjyq” Vitrinës

Tungjatjeta, Shkëlqesia Juaj i nderuar Ambasador i SHBA, z.Arvizu!

Ju lutemi kërkojmë vëmendjen tuaj!

Unë që po ju shkruaj jam Emond Vlashaj, themelues i Universitetit Vitrina, dhe njëkohësisht Kryetar i Partisë Lëvizja Shqipëria e Re.

Tashmë qëndrimet e mia të hapura dhe publike pro-amerikane janë të ditura qartazi edhe më parë qëndrimit tim publik, haptazi, pro politikës së qeverisë Amerikane për çmontimin e armeve kimike në Shqipëri.

Së fundi ne kemi shprehur hapur dhe publikisht mbështetjen në popullin dhe Shtetin e Izraelit në të drejtën e tij për të mbrojtur veten nga sulmet me raketa të Hamasit. Ne kemi denoncuar hapur dhe publikisht radikalizmin dhe terrorizmin në trojet shqiptare në Ballkan.

Tani ne kemi nevoje për vëmendjen tuaj!

Më datë 6 gusht, Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë nëpërmjet një procesi të pambështetur në ligj dhe më së shumti nëpërmjet një procesi të devijuar dhe të deformuar, të manipuluar dhe të keqpërdorur me metoda komuniste dhe Jakobine, ka vendosur të më shpronësoje, mua dhe Universitetin Vitrina, ka vendosur të na asgjësojë, pa asnjë gjurmë të respektimit të etapave të një procesi të ligjshëm dhe transparent.

Gjithçka ka ndodhur pa transparencë, pa proces të ligjshëm dhe pa angazhimin e personave të duhur në aspektin ligjor dhe profesional.

Në fakt, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Z. Rama, ka vendosur në mënyrë të pakuptimte ta dënojë me "Pushkatim pa gjyq", Universitetin Vitrina, mua personalisht si dhe familjen time.

Është një pushkatim pa gjyq, pasi ne nuk jemi lejuar të kalojmë në procesin e gjykimit në Gjykatën tonë që është Agjensia Ndërkombetare e Akreditimit, Pasi Këshilli Kombëtar i Akredimit si Institucion i Pavarur është i pabesueshëm për qeverinë e Shqipërisë.

I gjithë aparati i Administratës Publike dhe Shtetërore, i është kundërvënë Universitetit Vitrina duke filluar që një vit më parë me një fjalim poshtërues që Kryeministri Edi Rama, ka mbajtur në Parlament, duke cenuar rëndë jetëgjatësinë dhe qëndrueshmërinë e Universitetit Vitrina. Mandati i dënimit me vdekje me pushkatim pa gjyq, për Vitrinën, është nënshkruar që me ketë përmendje poshtëruese e denigruese në këtë fjalim një vit më parë prej Kryeministrit Rama në Parlamentin e Shqipërisë.

Tani gjendemi përballe vendimit për Heqjen e Licensës së Universitetit Vitrina, dhe akoma nuk kemi një arsyetim Ligjor, në mënyre që ne të mbrohemi në Gjykata.

Ne kemi denoncuar një Skandal që ka të bëjë me përdorjen në mashtrim dhe për përfitim të paligjshëm të diplomave false për Master dhe Doktoraturë, prej një funksionari të Lartë Shtetëror direkt i përfshire ne drejtimin e Komisionit të Reformës së Arsimit të Lartë në Shqipëri, fund e krye në konflikt Interesi me Universitetin Vitrina, pasi më parë, ka punuar te ne dhe ka mbajtur detyra të larta deri detyrën e Zv. Rektores.

Pasi e kemi faktuar dhe denoncuar në prokurori, ne kemi kërkuar edhe dorëheqjen e saj si minimumi i etikës dhe përgjegjshmërisë së funksionarit publik, gjendur në këto rrethana aspak të ligjshme dhe të moralshme.

Kjo nuk ka ndodhur, përkundrazi duke qenë në proces hetimi dhe më tej gjykimi, kjo funksionare e lartë e administratës publike në Shqipëri, është duke u mbrojtur në mënyre të paligjshme nga eprorët e saj Kryeministri, Ministri i Arsimit dhe Zv. Ministri, në kundërshtim të hapur me çdo lloj praktike ndërkombëtare dhe perëndimore në kësi lloj rastesh.

Ne sot me date 15. Gusht 2014, kemi shënuar ndërhyrjen tjetër te paligjshme prej Ministrise së Arsimit të cilĽt janë shprehur publikisht në denigrim te Institucionit tonë dhe në ndërhyrje dhe ndikim të paligjshëm për një vendim të Gjykatës Administrative Shkalla e Parë. Ky proces dihet se do të shkoje edhe në Shkallën tjetër të Gjykimit në Apel, dhe ne që tani jemi të goditur paraprakisht nëpërmjet ndikimit të paligjshëm të Ministrisë së Arsimit me deklaratën e ditës së sotme, të Ministres Nikolla.

Ne kemi nevojë vetëm për vëmendjen tuaj dhe për ndërhyrjen tuaj për të mbrojtur vlerat më të mira perëndimore në Shqipëri, vlera të cilat po asgjësohen me metoda tipike Komuniste dhe Jakobine.

Universiteti Vitrina është i vetmi Universitet që e ka kundërshtuar haptazi, publikisht dhe ligjërisht, të gjithë procesin e heqjes së licencës, pasi kemi fakte dhe jemi të bindur se ajo çfarë ka ndodhur me ne është në kundërshtim të hapur me ligjet e shtetit shqiptar si dhe në kundershtim flagrant me të Drejtat Themelore të Njeriut, sanksionuar në të gjitha konventat ndërkombetare.

Universiteti Vitrina nuk ka të krahasuar me asnjë prej Universiteteve të tjera që i është hequr licenca, por në fakt është shumë me mirë se shume prej Universiteteve që rezultojnë "të fituar nga ky proces"Ju lutemi kërkojmë vëmendjen Tuaj, në verifikimin e të gjithë procesit për heqjen e licencës së Universitetit Vitrina, si dhe të të gjithë procesit të mbrojtjes Ligjore dhe Publike prej nesh.

Me shume respekt për Ju!

Edmond Vlashaj, Themelues i Universitetit Vitrina.

Departamenti juridik “Vitrina”:Ministrja e Arsimit shkel ligjin, flet pa folur akoma gjykata 

Departamenti i Çështjeve Juridike i “Shkollës së Lartë Private Vitrina” reagon ndaj prononcimit publik në facebook të Ministres së Arsimit Lindita Nikolla dhe i bën me dije që të ndalojë publikimet e pavërteta, euforike dhe shpifëse ku citon: “Edhe një betejë e fituar me një ndër piramidat e arsimit të lartë. Gjykata rrëzoi kërkesën për sigurim padie.”

Znj Ministre, vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë ku për shkaqe proceduriale të padrejta rrëzohet pretendimi i “Shkollës së Lartë Private Vitrina” është një vendim i padrejtë që ne e ankimuam dhe jo përfundimtar që nuk ka marrë formë të prerë. Shkaku i rrëzimit të kësaj kërkese (që nuk ka lidhje me padinë e themelit) sipas gjyqtarit të gatshëm është se, “në asnjë rast nuk mund të vendoset me anë të një mase të përkohshme të sigurimit të padisë urdhërimi për të kryer i padituri atë që kërkon paditësi nëpërmjet padisë dhe që prapësohet nga i padituri…”.

Por duket qartë, paniku juaj si dhe i doktoreshës me diplomë fallso Ejona Isufaj, (ndaj së cilës rëndojnë edhe disa akuza penale), për të shpallur fitoren tuaj politike përpara se të flasin gjykatat dhe ligji, duke cënuar rëndë një parim shumë të rëndësishëm që, kur flet gjykata, të tjerët heshtin.

Znj. Ministre, paniku që keni nga Drejtësia, nuk mund të vijë me retorika të tilla që kanë për synim të vazhdojnë të cenojnë imazhin e një Universiteti që me argumente ligjorë po kërkon të drejtën e vet në gjykatë dhe me bindje në Drejtësi do ta fitojë atë.

Znj. ministre ju bëjmë me dije gjithashtu që, ndaj Këshillit të Ministrave ne kemi paraqitur gjithashtu edhe një kërkesë padi tjetër ku kundërshtojmë në themel paligjshmërinë e vendimit të Këshillit të Ministrave për heqje të licencës “Shkollës së Lartë Private Vitrina”.

Piramida e Arsimit të Lartë nuk është institucioni ynë, por as më shumë e as më pak është Drejtoresha falsifikatore Ejona Isufaj që ka përdorur diplomën master e doktoraturë false pranë institucionit tonë dhe tuajit gjithashtu. Departamenti i Çështjeve Juridike “Shkolla e lartë private Vitrina”

“Vitrina” Ministres Nikolla: Që tani jemi të fituar financiarisht deri në 7 milionë euro!

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla pasi nuk ka asnjë argument dhe fakt për të mbrojtur "Doktoreshën" dhe "Jakobinët", po flet për piramida në Arsim. A e kupton Ministrja Nikolla, se beteja për drejtësi dhe për të vërtetën është më fuqishme dhe më e rëndësishme se gjithçka tjetër për Vitrinën.

Nëse do të flisnim për financa, i bëjmë të ditur, hapur dhe publikisht Ministres Nikolla se vetëm prej grumbullimit të detyrimeve kontraktuale të procesit të çregjistrimit, detyrime që nuk ka "Jakobin" në këtë botë që ti hedhë poshtë, ne arrijmë të grumbullojmë mbi 7 milionë euro.

Pra që tani ne jemi të fituar financiarisht! A e di Ministrja Nikolla se Studio Ligjore Ndërkombëtare, nga më të fuqishmet në vendet e miqve tanë më të mirë, po bëjnë gati të gjithë dokumentacionin dhe të gjithë procesin e mundshëm për ti kërkuar Shtetit Shqiptar një dëmshpërblim prej të paktën 20 milionë eurosh për zhdëmtimin e Shpronësimit dhe Dëmtimit të Imazhit të Vitrinës nëpërmjet metodave tipike Komuniste, Jakobine?

Për çdo rast më këto studio ndërkombëtare jemi të gatshëm ta bashkëndajmë këtë sfidë financiare sa % të duan ata, e sigurt mbi 50%. Për ne, më shumë sesa financat e bollshme në këtë rast, ka rëndësi suksesi i përpjekjes sonë për drejtësi dhe për të vërtetën. Universiteti Vitrina.

Vlashaj: Beteja për drejtësi dhe të vërtetën vazhdon deri në Gjykatën e Strasburgut

Themeluesi i Universitetit “Vitrina”, Edmond Vlashaj, ka deklaruar se beteja për drejtësi do të vazhdojë deri në Gjykatën e Strasburgut.

“E ndërsa në këto pak ditë ne kemi arritur fitoren më të madhe morale, fitoren më të madhe të mundshme, nxjerrjen e të vertetës në shesh, dhe ndërkombetarizimin e kësaj të vërtete, tashmë do të vijojmë në menyrë të paqtë e të qetë, në mënyre stoike dhe shumë dinamike, betejën për Drejtësi dhe për të Vërtetën në të gjitha rrafshet e mundshme, me të gjitha mjetet dhe mundesitë që na vë në dipozicion sistemi demokratik dhe shtetit ligjor, këtu në Shqiperi”, shprehet Vlashaj.

Ai thotë se do të vazhdojë përpjekjen për drejtësi deri në nivelet më të larta të gjykimit, të ankimimit dhe kerkesës për dëmshperblim dhe zhdëmtim deri në Gjykatën Ndërkombëtare në Strasbourg, dhe kudo në botë, ku do të gjendet drejtësi.

Në vijim ai falenderon çdo kontributor në këtë përpjekje për drejtësi dhe për të vërteten.

Botuar 12 gusht 2014 /Vlashaj: Verifikoni piramidat në arsim, “Vitrina” institucion stabël dhe i fuqishëm financiarisht

Themeluesi i Universitetit “Vitrina”, Edmond Vlashaj në një deklaratë për mediat ka kërkuar që të verifikohen piramidat në arsimin e lartë.

“Duke pasur krahas eksperiencave të tjera të mëparshme si Drejtues Kantieri me më shumë se 250 punonjës që 18- 19 vjeç, duke pasur edhe një eksperiencë prej vitesh të tëre si Drejtues Projektesh në Shoqerinë Civile dhe Konsulent për Zhvillimin Ekonomik Lokal dhe Shërbimet Publike në Rajonet e Ballkanit, falenderoj Zotin për eksperiencën të Fondacioni Amerikan World Vision Lezhe, ku vetem tre-katër muaj të arta si Oficer Kredie, më kan mjaftuar jo vetëm për të zgjeruar dijet e mia në sipermarrje, por më kanë ndihmuar që të kuptoj se kyçi i suksesit të një sipermarrjeje është Stabilizimi i "Cash-Floë", (Pasqyrës Financiare), nq atq menyrq që të ketë të ardhura të përditshme, të përmuajshme dhe të përvitshme. Krahas uljes së kostove, kursimit, inovacionit, investimeve të kujdesshme, dhe fushatave të marketingut efektive dhe eficiente”, ka thënë Vlashaj.

Ai ka bërë me dije se Universiteti “Vitrina” bashkë me aktivitetet e tjera në Kampusin Universitar “Vitrina”, kanë qenë të qendrueshem financiarisht dhe gjtihmonë në rritje.

Vlashaj përmendi si fakte se vetëm 3% e kontratave janë tre vjeçare; 2. 97% e kontratave të studentëve janë me pagesa vjetore dhe semestrore të ndara edhe më tej, në këste mujore, apo pagesa paraprake të përcaktuara para dhe pas çdo procesi akademik dhe administrativ; Universiteti “Vitrina” nuk ka asnjë kredi të marrë në bankë, apo kredi për të shlyer; Universiteti “Vitrina” i ka paguar të punësuarit gjithmonë brenda muajit; Universiteti “Vitrina” ka krijuar të ardhura dhe shërbime shtesë për të diversifikuar "portofolin" por duke mbetur të fokusuar në fushën e Edukimit dhe kualifikimit të Burimeve njerezore. (Qendra e Formimit Profesional Vitrina, Shkolla e Mesme Profesionale Vitrina, Autoshkolla 77 energji, etj).

Ai ka bërë thirrje që të verifikohen piramidan në arsimin e lartë, duke ngritur pyetjet që i gjeni më poshtë:

– A ka Universitet i i cili rezulton "kalues" prej reformës së "Doktoreshës", i cili të ketë minimalisht 15 milionë euro kredi bankare të dokumentuar në sistemin bankar shqiptar? Pa përfshirë këtu fajdet e marra gjithandej për qejfe e vese?

-A ka Universitet i cili ka parashikuar që 97 % e kontratave të jenë me pagesa me këste për të stabilizuar "Cash-Flow", apo i kanë marrë të gjitha paratë e regjistrimeve të studentëve njeherësh pa menduar se çfarë do të bëhet më pas?

-A kanë të ardhura alternative shtesë apo portofol të diverisifikuar këto Universitete, të këtij lloji si me sipër përmendur?

-Verifikoni se kush janë të kalburit e sistemit të cilët "Doktoresha" e sëmurë ligjërisht, Ejona Isufaj, na i ka nxjerrë si modeli i Sistemit?/a.s/a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit